E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i financuar nga Komisioni Europian

Një arkitekt grek dhe 10 milionë euro për restaurimin e kalave shqiptare

Petrika GROSI
Dje është paraqitur projekti ambicioz për restaurimin dhe rehabilitimin e qendrave historike, monumente të kulturës të kategorisë së parë, siç janë kalatë mesjetare në Shqipëri. Një fond ky, që jepet nga Komisioni i Europës në Tiranë dhe që përveç kalave mesjetare të kryeqytetit, Krujës dhe Himarës, parashikon të restaurojë kala e qendra të tjera të rëndësishme historike në rrethe me një shumë që në të ardhmen mendohet të arrijë në 10 milionë euro. Ky program ka si synim restaurimin e kalave në qendra të banuara, ku ekzistojnë potenciale të trashëguara (arkitekturore, tradite, historie, arkeologjike etj.) të lëna në harresë, të cilat nëse ndërhyhet, gjenerojnë të ardhura për komunitetin. Në këtë mënyrë vjen dhe zhvillimi i këtyre qendrave, bashkë me shtimin e numrit të vizitorëve, njëherësh realizohet promovimi i monumenteve, duke siguruar kështu, veç të ardhurave të vazhdueshme, mbrojtjen e kalave që dëshmojnë për historinë shqiptare në veçanti dhe atë të fqinjëve ballkanas, apo të Europës Juglindore në përgjithësi. Siç deklaron ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, faza e parë e këtij projekti
përfshiu hartimin e një studimi të plotë që do të bazohej në identifikimin dhe vlerësimin e objekteve për ndërhyrje, vlerësimin e mbështetjes ekonomike, vlerësimin e alternativave më të mira, si dhe dizajnimin urban dhe arkitektonik në qytetet Tiranë, Shkodër, Elbasan, Tepelenë, Lezhë, Durrës, Berat, Krujë, Korçë, Vlorë etj.”. Ndërsa faza e dytë e projektit konsiston në
ndërhyrjen konkrete për restaurimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në tri qendra të trashëgimisë historike dhe kulturore, siç janë kalatë mesjetare të Tiranës, Krujës dhe Himarës. Ndërhyrjet që do të bëhen nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës përfshijnë ndërhyrjet në infrastrukturën inxhinierike si dhe ndërhyrjet në infrastrukturën arkitektonike e atë restauruese. Gjithashtu, ndërkohë që janë mbyllur mjaft aktivitete private në zona monumentale (Bari te Torra Veneciane në Durrës etj.) bëhet e ditur dhe konfirmohet nga po i njëjti ministër se qendrat e restauruara do të përfshihen në itinerare turistike dhe do të ofrojnë mundësi të reja për aktivitete tradicionale dhe novatore, ku përfshihen bar-restorante, galeri arti, ekspozita të ndryshme, punishte artizanati, tregti, kulinari etj. Risi në këtë projekt është edhe mbulimi i gjurmëve të Kalasë së vjetër të Tiranës me një strukturë transparente prej xhami, e cila do të lehtësojë soditjen e tyre nga vizitorët dhe qytetarët. Një konceptim i tillë modern do të shërbejë për një paraqitje më cilësore të strukturave të cilat shpalosin historinë e Qendrës Mesjetare të Tiranës. Pango shton se MTKRS-ja ka marrë vendim për miratimin e shtrirjes së këtij projekti edhe në qendrat historike të Durrësit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës, Kaninës, Lezhës, Beratit dhe Tepelenës, me një shumë prej 5 milionë eurosh”. Ky program është më i madhi nga përmasat sa i përket llojit të vet, realizuar deri sot në Shqipëri. Ministri Pango falënderoi arkitektin grek Nikos Fintikakis, studioja e të cilit koordinon bashkë me MTKRS-në zhvillimin dhe implementimin e projektit, e ndihmuar nga Grupi i Sudimeve Mjedisore të Universitetit të Athinës, nën udhëheqjen e prof. Santamuris.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›