E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainë Suedi, Shevçenko kundër Ibrahimoviçit

Thënia:

Mendoj se fakti që nuk shihemi si favoritë është një gjë e mirë. Do të ketë më pak presion ndaj skuadrës. Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin

Ukrainë – Suedi

Ora 20:45, në Kiev

Formacionet e mundshme:

Ukrainë: Pjatov, Husjev, Kaçeridi, Mikhalik, Selin, Timoshuk, Nazarenko, Jarmolenko, Deviç, Voronin, Shevçenko

Suedi: Isakson, Lustig, Melberg, Grankvist, Olson, Elm, Svensson, Kallstrom, Larson, Toivonen, Ibrahimoviç.

Sheva pritet të jetë titullar në ndeshjen e parë për ekipin vendas, teksa nordikët ka të ngjarë të bazohen te Ibra. Në letër, Suedia ka diçka më shumë…

Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin, se skuadra e tij është në formë të mirë pas helmimit të pësuar javën e kaluar nga ushqimi. Andri Shevçenko ka shumë mundësi ti marrë vendin Jeven Konopliankas në krah të Artem Milevskit.

Sulmuesi suedez Johan Elmander është rikthyer në stërvitje ditën e premte, një muaj pas një frakture në këmbë. Ai pritet të jetë titullar, por nëse nuk do të jetë në formën më të mirë vendin e tij në formacion mund ta marrë Ola Toivonen, ndërsa kapiteni Zllatan Ibrahimoviç do të luajë rregullisht në sulm.

Ukraina do të bëjë sot debutimin e saj në Europian, por si pjesë e Bashkimit Sovjetik futbollistët e kësaj kombëtareje kanë një traditë të pasur në historinë e këtij kompeticioni.

Nën drejtimin e trajnerit legjendar të Ukrainës, Valeri Lobanovski, sovjetikët kanë arritur në finalen e 1988-ës, me shtatë lojtarë të skuadrës që është mundur nga Holanda në finale të lindur në Ukrainë. Ambicia e tyre këtë verë është më modeste.

Kohët e fundit trajneri Oleg Bllohin është ankuar se mbrojtësit e tij nuk ndërhyjnë në mënyrën e duhur dhe sulmuesit nuk shënojnë gola. Pavarësisht nga kjo, skuadra e Bllohin do të kërkojë të përgënjeshtrojë parashikimet në takimin hapës kundër Suedisë. Ukraina, vendi organizator bashkë me Poloninë, nuk ka kaluar një fazë përgatitore shumë të qetë për Euro 2012-ën brenda dhe jashtë fushës, por tani turneu ka filluar dhe publiku vendas synon të argëtohet dhe ti japë heroit të tyre 35-vjeçar Andri Shevçenko pritjen e duhur.

Lojtari më i mirë i vitit në 2004-ën nuk është më futbollisti që ka qenë dikur, por ai përfaqëson më shumë se një sulmues veteran për Ukrainën.

Paraqitjet e tij me Milanin dhe Dinamon e Kievit kanë ndihmuar Ukrainën, që sapo kishte marrë pavarësinë, të tërheqë vëmendjen e botës së futbollit. Megjithatë, për shkak të rënies së rendimentit, ai mund ta ketë të vështirë të luajë 90 minuta të plota.

Ndërkohë, trajneri i Suedisë, Erik Hamren, i pyetur në lidhje me avantazhin që do të ketë Ukraina nga tifozëria vendase ka thënë se do të pretendojë se tifozët të veshur me verdheblu do të jenë suedezë – flamujt e dy vendeve kanë të njëjtat ngjyra.

Hamren ka ndërtuar një ekip të ri dhe sulmues rreth talentit të kapitenit Zllatan Ibrahimoviç. Suedia ka shënuar 31 gola në fazën eliminatore, duke përfshirë këtu edhe një fitore 3-2 kundër Holandës dhe synimi i tyre në Euro 2012 është të argëtojnë publikun me lojën e tyre.

Përballjet direkte

- Dy kombëtaret janë ndeshur tri herë të tjera në të kaluarën – të gjitha miqësore – dhe dy nga këto ndeshje janë luajtur vitin e fundit.

- Të dyja skuadrat kanë regjistruar një fitore 1-0 në transfertë. Ukraina në qershor 2008, Suedia në gusht 2011. Barazimi është arritur në Qipro në shkurt të 2011-ës. Në përfundim të ndeshjes janë ekzekutuar penalltitë, Ukraina ka fituar 5-4.

Ukraina

- Ukraina është e vetmja kombëtare debutuese në Euro 2012. Katër Europianët e parë (1960-1972) janë fituar nga debutuesit, por asnjë ekip debutues nuk e ka përsëritur.

- Nga të gjithë 368 lojtarët në Euro 2012, Andri Shevçenko ka karrierën më të gjatë në arenën ndërkombëtare. Ai ka debutuar në 1995-ën.

- Skuadra e Oleg Bllohin është e vetmja që nuk ka asnjë lojtar në Premier Ligë.

- Vetëm dy lojtarë, Andri Voronin dhe Anatoli Timoshuk, luajnë jashtë Ukrainës.

Suedia

- Olof Melberg do të përfaqësojë Suedinë në kompeticionin e pestë të rëndësishëm. Ai nuk ka munguar në asnjë minutë në kompeticionet ku ka marrë pjesë.

- Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, ka përzgjedhur nëntë lojtarë 30 vjeç e sipër – numri më i lartë i tridhjetëvjeçarëve në Euro 2012.

- Kim Kallstrom ka dhënë shtatë asiste gjatë fazës eliminatore në Euro 2012, po aq sa mesfushori i Gjermanisë, Mesut Ozil, dhe ai i Ukrainës, Balaz Dzudzkas.

Trajneri i Ukrainës

Oleg Bllohin: Niveli i skuadrës është shumë i ulët

Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin ose është shumë pesimist ose po luan një lojë psikologjike me lojtarët e tij. Bllohin ka thënë: Më falni, por niveli i skuadrës është shumë i ulët për një Europian. Nëse një sulmues nuk mund të krijojë asnjë rast për të shënuar, atëherë ai nuk është një sulmues për mua. Në rastin tonë, është e vështirë edhe të gjejmë një sulmues që të luajë në mënyrë të vazhdueshme për këtë kombëtare. Sulmuesi që ka shënuar më shumë për Ukrainën në këtë sezon është Even Selezniov, i cili ka realizuar 14 gola me Shaktjor Donjeckun. Megjithatë, sulmi nuk është i vetmi repart që e shqetëson trajnerin. Ai ka kritikuar edhe mbrojtjen: Kemi probleme me të dy qendërmbrojtësit dhe lojtarët e krahut. Mbrojtësit tanë nuk bëjnë ndërhyrjet e duhura. Tifozët dhe lojtarët janë shumë optimistë dhe kjo gjë nuk ndihmon as skuadrën dhe as tifozët, ka thënë Bllohin.

Trajneri i Suedisë

Hamren: Mbrojtja? Mjafton të shënojmë më shumë

Paraqitja jo shumë e mirë e Suedisë në takimet e fundit miqësore nuk e shqetëson trajnerin Erik Hamren, i cili ka thënë se një qëndrim më mbrojtës i skuadrës mund të frenojë instinktin sulmues në Euro 2012. Për sa kohë ne fitojmë ndeshjet tona dhe shënojmë më shumë se kundërshtari, unë jam i kënaqur, ka thënë Hamren. Skuadra e Ibrahimoviç do të përballet sot me Ukrainën në ndeshjen hapëse të Grupit D. Suedia ka pësuar tre gola me kokë në dy ndeshjet e fundit miqësore kundër Islandës dhe Serbisë, por trajneri suedez nuk ka ndërmend të bëjë shumë ndryshime. Nëse ne mendojmë vetëm për mbrojtje, mund tiu garantoj se kundërshtarët do të kenë më pak mundësi të shënojnë, por gjithashtu do të krijojmë edhe më pak mundësi për të shënuar. Për këtë arsye nuk mund të mendojmë vetëm për mbrojtje, për këtë duhet të mendojmë ditën që do të humbasim, ka thënë ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›