Partizani, me Flamurtarin fitorja e parë në katër muaj
Triumfi 2-0 që Partizani arriti me Flamurtarin në takimin e fundit për këtë vit, nuk ka vetëm vlerën e pikëve. Të kuqtë largohen për herë të parë pas katër javëve nga vendi i fundit në klasifikimin e Superiores: tashmë renditen të 11-t, me pikë të barabarta me Lushnjën, por golavarazh më të mirë. Fakti më i rëndësishëm është se "demat" regjistrojnë fitoren e parë në kampionat pas katër muajsh pritje (3 pikët e plota i kanë marrë vetëm në javën e parë pikërisht kundër Lushnjës, më 24 gusht). Kjo është edhe fitorja e parë e trajnerit Shpëtim Duro në aktivitetin më të rëndësishëm në vend. Pas tetë javësh në drejtim të skuadrës ku zëvendësoi Hasan Likën, tashmë për ish-ndihmësin e Oto Bariç në kombëtare, erdhi edhe rezultati i dëshiruar. Ai mund të shpresojë se 2009-a do të jetë më e mbarë për Partizanin, edhe sepse nuk e ka fshehur asnjëherë bindjen se skuadra ka kualitet për të mbijetuar mes më të mirëve.