E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani rikthehet në Palermo?

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini ka ftuar Samir Ujkanin që të rikthehet në skuadër. Portieri vushtrrias ka pranuar se sezonin e ri, sipas të gjitha gjasave, do t’i mbrojë ngjyrat e klubit nga ‘Renzo Barbera’, ku synon t’i tregojë vlerat.

Edhe pse skuadra e Novarës ka rënë në Serie B, Samir Ujkani, sezonin e ardhshëm pritet që sërish të jetë pjesë e elitës së futbollit italian – Serie A.

Portieri kosovar, sipas gjitha gjasave, do të rikthehet tek ekipi i Palermos, nga i cili ishte larguar para tri sezoneve.

Drejtuesit e ekipit sicilian, të cilët viteve të fundit kanë ndërruar disa portierë, tashmë kanë shprehur gatishmërinë që reprezentuesin e Shqipërisë ta rikthejë në skuadër.

“Maurizio Zamparini më ka telefonuar edhe më ka ftuar që të kthehem në Palermo. Por pa e ditur se kush do të emërohet trajner i ri i ekipit, unë nuk mund të them asgjë. Mirëpo besoj që 90 për qind do të rikthehem te Palermo”, ka deklaruar 23-vjeçari për Express.

Skuadra e Novarës dhe ajo e Palermos ndajnë kartonin e 23-vjeçarit. Por ekipi nga ‘Renzo Barbera’ ka mundësinë ta bëjë 100 për qind të vetin vushtrriasin për 2 milionë euro.

Ujkani në vitin 2009 ishte huazuar nga Palermo te Novara, e cila në atë kohë garonte në Serie C. Pa dyshim se kosovari ishte më meritori që kjo skuadër për dy sezone arriri të rikthehet në Serie A.

Por ish-portierit të klubit belg, Anderlecht, nuk pati edhe aq fat në Serie A, pasi pësoi disa lëndime, të cilat e lanë jashtë fushës me muaj disa herë. Megjithëkëtë, Ujkani synon të jetë edhe më i fortë në sezonin e ardhshëm.

“Edhe jam, edhe nuk jam i kënaqur me këtë sezon. Rezultatet e ekipit nuk kanë qenë të mira dhe kam pasur shumë lëndime. Por në ndeshjet që kam luajtur, kam provuar ta jap maksimumin. Tash jam duke punuar që sezonin e ardhshëm të jem në top formë”, përfundoi Ujkani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›