E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSV, pas Ajdareviçit

Astrit Ajdareviç e ka rikthyer formën e dikurshme dhe kjo është vërejtur nga klubet e ndryshme evropiane, të cilat kanë shfaqur interesim për të. Prej tyre interesim serioz duket se ka shprehur gjiganti holandez PSV Eindhoven. Drejtuesit e Norrkopingut janë të gatshëm ta shesin 22 vjeçarin, nëse marrin një ofertë të mirë.

Pas rikthimin në Suedi, Astrit Ajdareviç e ka gjetur formën e dikurshme. Me Norrkopingun, ai pati një sezon pozitiv, prandaj edhe ofertat nga ekipet jashtë Suedisë për të nuk mungojnë.

Së fundmi interesim për mesfushorin kosovar ka shfaqur gjiganti holandez PSV Eindhoven, shkruajnë mediat suedeze. Sipas ueb faqes na.se, PSV është i interesuar seriozisht për përfaqësuesin kosovar dhe është i gatshëm t’i fillojë negociatat për ta transferuar atë gjatë verës.

Përpos PSV-së, ish futbollisti i akademisë së Liverpoolit është bërë objektiv edhe i disa skuadrave tjera evropiane. “Nuk dëshiroj të komentoj rreth PSV-së, por sigurisht se disa klube të huaja kanë shfaqur interesim për Astritin dhe i kanë përcjellë disa ndeshje”, ka thënë drejtori sportiv i Norrkopingut, Tony Martinsson.

Ai e pranon se Norrkopingu do ta ketë vështirë ta mbajë Ajdareviçin, i cili është përmirësuar shumë kohëve të fundit. “Nuk dua të paragjykoj asgjë, por kjo është pjesë e lojës. Astritin e shohim në një klub jashtë Suedisë, që do të ishte mirë edhe për lojtarin edhe për klubin. Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë lojtarë, që më pas vazhdojnë në Evropë. Klubi ynë është i gatshëm për një shitje eventuale”, shtoi Martinsson.

Ky i fundit mendon se Ajdareviçi është i gatshëm për hapin e radhës. Martinsson deklaron se që kur e kanë marrë Astritin, kanë qenë të vetëdijshëm dhe të bindur në zhvillimin e tij. Sot Ajdareviç është njëri prej futbollistëve më të paguar në Allsvenskan.

Në të kaluarën, Ajdareviç ka luajtur edhe në Falkenbergs, Liverpool, Leicester City, Hereford United dhe Orebro. 22 vjeçari ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses U-21 të Suedisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›