E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e Hoxhës për kryeministrin duan përgjigje

Një shkrim i z.Harasani në shtyp, ngre me të drejtë fillimisht pyetjen: Një ditë mbas transmetimit të intervistës së znj.Nexhmije Hoxha në televizion, pothuaj të gjitha mediat e shkruara të shtypit shqiptar i kishin afruar faqet kryesore. Pse gjithë ky interesim?

Interesi për të shkuarën që përfaqëson znj.Hoxha, në thelb është zhgënjimi i thellë për të sotmen që jetojmë, është dëshpërimi pafund që këto 20 vjet nuk mjaftuan që të zhdukej “fantazma” që përmendte dikur Marksi dhe që tremb ende sot Evropën me kujtimin e saj të keq, e cila “vërtitet tej e këtej anëve tona”. Në mos në formë, padiskutim në përmbajtje.

Si e tillë, biseda e gjatë me të venë e diktatorit rreket të vërtitet po në këto dy anë të hendekut, mes të shkuarës që e kemi lexuar deri në mërzi në tekstet steriotipe të komunizmit dhe të sotmes sonë, që është e paqartë kryesisht për shkak të personazheve që e kushtëzojnë ende.

Por nga ana tjetër, ka një moment të një rëndësie të veçantë dhe ai ka të bëjë me dëshminë e saj për të sotmen e këtij vendi. Një komuniste fanatike tregoi se sot qeverisemi nga një komunist fanatik, ai kujtim i të shkuarës sonë të trishtë na vërtetoi se sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë! “Berisha nuk i jepte kurrkujt dorën që i kishte shtrënguar Enveri, njëlloj si pionierët”, tha znj.Hoxha. Që nuk ndali këtu.Që nuk heshti këtu, por shkoi dhe shumë më tej.

“Eshtë dhëndri i një agjenteje të UDB-së”, u përgjigj zonja Hoxha, duke thënë kështu vetëm gjysmën e asaj që përmendet hapur sot në Tiranë. Shprehje që i bashkohet dhe “thashethemeve” që vlerësojnë sot rolin e familjes biologjike të kryeministrit në aferat më të mëdha kriminale dhe korruptive, duke nisur me Gërdecin, e duke vazhduar dhe me të tjera “histori” që vlerësohen në miliona dollarë, me privatizime të dyshimta dhe miqësitë po aq të dyshimta me individë me pasaporta serbe e boshnjake.

Znj.Hoxha foli edhe për hakmarrjen e Sali Berishës: “Nuk e pranova në grupin e mjekëve të Enverit dhe për hakmarrje mua më futi pesë vjet në burg, Enverit i zhvarrosi eshtrat”. Nuk mund të vihet dora në zjarr për këtë lidhje shkak-pasojë, por nuk ta gjen asgjë dorën e vënë në zjarr për faktin që në këto vite në politikë, Berisha është demonstruar si politikani më hakmarrës; është demonstruar si një nga “vrasësit” politik të bashkëpunëtorëve të tij, sipas parimit nazist, kush nuk është me mua, është kundër meje!

Ndaj duke nisur nga e hëna në mbrëmje, (kur u bënë deklarimet e znj.Hoxha) çdo minutë heshtjeje e qytetarit të akuzuar Sali, është mina me sahat që hedh në erë atë kostum borgjez që ai vesh nga mëngjesi në mbrëmje.

Z.Sali Berisha duhet të dalë dhe të përgënjeshtrojë ish-komunistin Sali Berisha, që të hënën në darkë foli me gojën e të vesë së Enver Hoxhës. Dëshmi apo denoncim; znj.Hoxha hesapet e saj me njerëzinë i ka konsideruar të mbyllura, z.Berisha ka tashmë një hesap më shumë për të dhënë jo vetëm përpara perëndisë. Në këtë botë edhe gënjeshtra është e përkohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›