Partizani, merkato është enigmë
Humbja e fundjavës së kaluar në Fier, përballë Apolonisë vendase, e ka përkeqësuar edhe më situatën e Partizanit. Prej rezultateve (vetëm 1 fitore, 7 barazime e 8 humbje), rënia nga Kategoria Superiore duket e pashmangshme. Megjithatë, Shpëtim Duro shprehet optimist se të kuqtë do t‘ia dalin mbanë. "Kur Tirana, që ndodhet 7 pikë pas Vllaznisë, ka ende shpresa për titull, përse të mos shpresojmë edhe ne", deklaroi tekniku. "Unë besoj se do t‘ia dalim mbanë dhe një emër i madh si Partizani do të vazhdojë të luajë mes më të mirave". Vështirësitë kryesore qëndrojnë në repartin ofensiv, ku Duros i është dashur të improvizojë, sepse nuk ka një "pykë" të mirëfilltë. As nga merkato nuk vijnë sinjale të mira, me trajnerin që nuk e di se çfarë mund të ndodhë. "Është e vërtetë që kemi pasur vështirësi, sepse na është dashur të sajojmë repartin e sulmit, pasi nuk kemi një qendërsulmues të mirëfilltë. Edhe Lushnja është më mirë se ne në këtë repart, ata i kanë tre lojtarë në këtë rol, shtoi ai. Kemi punuar mirë; na kanë munguar rezultatet, por do ta zgjidhim edhe këtë çështje. Sa për merkaton, mund të largohen disa lojtarë, ashtu si bëri Bakaj. Personalisht, do të doja të qëndronin dhe të bënim disa përforcime, por nuk e di çfarë do të ndodhë".