Studentët e Bujqësorit: Blini produktet shqiptare!
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe GTZ mbështeti dje iniciativën e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës për të promovuar produktet shqiptare. Nën sloganin "Shijoni cilësinë e vërtetë shqiptare", studentët e këtij universiteti kërkuan mbështetjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë për lancimin e duhur të këtyre produkteve. Nga ana e tij, institucioni përfaqësues i biznesit, duke qenë mbështetës i promovimit të biznesit shqiptar u shpreh i gatshëm për të ndihmuar dhe promovuar këto produkte, të cilat janë një pjesë e atyre prodhimeve që vendi ynë ka. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj, bëri të qartë se tashmë produktet shqiptare nuk duhet të jenë vetëm në tregun tonë, por duhet dhe të eksportohen. Duke qenë dhe prag festash ku konsumi rritet, kjo ishte një mënyrë e mirë për t‘i promovuar ato. Nga një shportë me produktet më të veçanta të zonave të ndryshme të Shqipërisë, të cilat do të jenë në duart e politikanëve, donatorëve të huaj dhe shqiptarë, janë një mundësi e mirë për të shijuar produktet dhe për të kërkuar me të drejtë mbështetje për zhvillimin e tyre. Mesatarisht çdo vit importohen rreth 500 milionë dollarë produkte ushqimore nga jashtë.