E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, dyshime ndaj Gjykatës Administrative

Përfaqësues të bizneseve industrialiste, kanë pranuar ligjin e ri të qeverisë për krijimin e Gjykatës Administrative, por nuk kanë hezituar të thonë dyshimet rreth zbatimit të saj. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar dje në Komisionin e Ligjeve, Konfindustria si nismëtare e kërkesës drejtuar prej më shumë se 1 viti e gjysmë vendimmarrjes politike të të gjitha ngjyrave, kërkoi përshpejtimin e procedurave ligjore për funksionimin sa më të shpejtë të institucionit në fjalë edhe kështu mjaft të vonuar krahasimisht të gjitha vendeve të tjera jo vetëm të BE-së, por edhe të rajonit. "Mungesa e Gjykatës Administrative në Sistemin e Drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht biznesin në përgjithësi dhe industritë shqiptare në veçanti sikundër dhe qytetarët shqiptarë, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore", tha Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë. Ai kërkoi nga deputetët që të kihet mjaft kujdes në procesin e përzgjedhjes së stafit që do të bëjë të mundur marrjen përsipër të ngritjes së gjykatës. "Do të ishte e kotë që Gjykata Administrative të drejtohej nga njerëz jo profesionalë, ndërsa vetë kjo çështje duhet trajtuar në ligj më vete"", tha Buxhuku në komision.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›