Partizani ndalet në ekstrem nga Erzeni, barazim 3-3

Erzeni dhe Partizani nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 3-3 në javën e 13-të të “Abissnet Superiore”, që rikthehet në fushën e lojës pas një pushimi të detyruar për shkak të Botërorit, “Katar 2022”. Në sfidën e luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit, me shijakasit si skuadër pritëse, sfida nisi me një gol të Erzenit. Në minutën e 8-të është Nonato që finalizon pas një goditje dënimi. Gjithsesi avantazhi nuk do të zgjasë shumë, pasi në minutën e 13-të është Cara që vendos barazpeshën me një goditje nga distanca.
Me kalimin e minutave të kuqtë u treguan më kërkues dhe në fundin e pjesës së parë kanë mundësi për të shënuar nga pika e 11-metërshit, por Skuka ka babuar, duke lejuar që pjesa e parë të mbyllet në barazim 1-1. Fillimi i pjesës së dytë do të sjellë dhe avantazhin e të kuqve me Rrapajn që shfrytëzon një asist të Hotit për të dërguar topin në rrjetë.
Në Skenë shfaqet edhe njëherë Skuka, i cili në minutën e 55-të arriti të mposhtë portierin e shijakasve, Xhika në dy tentativa, 3-1. Një avantazh komod për Partizanin, që u duk se kishte mbyllur gjithçka për këtë sfidë. Një stuhi ndërpreu ndeshjen për disa minuta, por më pas skuadrat u rikthyen në fushë për ti dhënë dorën e fundit një sfide mjaft emocionuese për nga rezultati, sidomos për shijakasit.
Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, skuadra e Erzenit arrin të shënojë dhe golin e dytë në minutën e 90’+2. Është Kadriu që përfiton brenda zonës pas një gabimi të të kuqve për të dërguar topin në rrjetë. Por çudia nuk përfundon këtu pasi vendasit arrijnë të përfitojnë një 11-metërsh me ndihmën e VAR dhe në minutën e 90’+9 është Kahrimanovic që vendos barazpeshën në 3-3. Skuadrat ndajnë nga një pikë, me Partizanin në vendin e parë me 23 pikë, ndjekur nga Tirana me 22 me një ndeshje më pak dhe Erzeni në vendin e tretë me 21 pikë.