E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani në kaos, tjetër përplasje Paro Laçi-Xhani

TIRANE-Partizani tashmë është futur në një krizë identiteti, teksa për plasja mes dy aksionerëve kryesorë Paro Laçi e Albert Xhani dje ka marrë përmasa të tjera. Në një konferencë për shtyp të organizuar në mjediset e "Sky ToWer", administratori i klubit, Laçi, ka bërë të ditur se Xhani nuk është më president i klubit dhe se ai është shkarkuar nga kjo detyrë. Një deklarim që ky i fundit e ka quajtur thjesht një shoë mediatik dhe që sipas tij nuk ka vlerë juridike, duke qenë se vendimet duhen marrë nga organet drejtuese të klubit. "Po ju njoftojmë se kemi shkarkuar Albert Xhanin nga posti i presidentit të klubit dhe kemi zgjedhur president nderi Bejkush Birçen, - deklaroi Paro Laçi në konferencën për shtyp. - Ne kemi një projekt serioz për këtë klub, futbollistët i kanë marrë rrogat rregullisht dhe nuk do të ketë më pagesa në të zezë për ta", shtoi më tej përfaqësuesi ligjor i klubit të kuq. Ai ka prezantuar gjithë stafin e ri të këtij klubi, duke bërë të ditur se Partizani është tashmë në një epokë tjetër.
Reagimi
Por, reagimi i Albert Xhanit pas kësaj ka qenë i menjëhershëm, nëpërmjet një komunikate për shtyp shpërndarë të gjitha mediave. "Ky administrator, i vendosur me pëlqimin tim dhe i ndjekur nga disa komunistë të pandreqshëm, prezanton "stafe" që nuk janë kompetencë e tij, por e organeve drejtuese të shoqërisë aksionere, - bën të ditur Xhani në deklaratën e tij. - Kam drejtuar për 11 vjet Partizanin, duke shpenzuar miliona euro, duke bërë marrëveshje vetëm në të mirë dhe në interes të Partizanit, por duke respektuar pronat dhe ligjet e shtetit. Unë nuk mund të mbështes vendime që dalin mbi ligjin për pronën private", shton ai.
Përplasja
Ndoshta përplasjet mes Paro Laçit (i ardhur si administrator i klubit në muajin janar) dhe Albert Xhanit mund të kenë lindur që më parë, por ato dolën në pah në momentin e caktimit të datës për Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së. Laçi coi në Federatë dokumentin, ku ai, si përfaqësues ligjor i klubit, duhet të ishte votuesi në Asamblenë e 9 marsit. Të njëjtën gjë bëri edhe Xhani, por FSHF njohu letrën e të parit. Kjo çoi në përplasjen e madhe mes dy aksionerëve. Paro Laçi deklaroi se "vota e Partizanit nuk shitet", duke treguar një sms të Xhanit. Ky i fundit u shpreh se ka marrë miratimin e bordit drejtues të klubit për të qenë ai përfaqësues në Asamble, ndërsa u shpreh se kishte marrë edhe kërcënime me jetë për këtë. Kjo përplasje mediatike arriti kulmin ditën e djeshme, kur administratori i klubit ka bërë të ditur shkarkimin e presidentit, ndërsa Xhani e hedh poshtë këtë, duke thënë se ai ka 60 % të aksioneve të klubit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›