E Diel, 1 Nëntor 2026

Blendi Klosi: Berisha refuzon hetimin dhe zgjidhjen e krizës



Partia Socialiste shprehet se Kryeministri Sali Berisha, me mos pranimin e kërkesës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve, po mban peng zgjidhjen e krizës politike në vend. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, në deklaratën e djeshme për median theksoi se “refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur më 28 qershor përbën provën më të qartë se Kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës”, theksoi Klosi. Sipas tij, të gjitha vështirësitë e problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, që nga rritja e çmimeve e deri tek injorimi i të drejtave të banorëve të Orikumit e tallja me kërkesat e minatorëve e kanë origjinën te manipulimi i procesit zgjedhor. “Sali Berisha thotë se s’ka krizë, edhe pse qytetarë e qytetaret e këtij vendi e ndjejnë krizën sa herë u futet nën derë fatura e energjisë dhe ujit. Sali Berisha thotë se kriza është një trillim i opozitës, a thua se prej opozitës vuajnë minatorët, prej opozitës nuk gjejnë dot të drejtën e tyre banorët e Orikumit, prej opozitës po flaken në rrugë arsimtarët, prej opozitës po rritet papunësia e varfëria. E vërteta e hidhur është se Sali Berishës dhe mazhorancës së tij nuk i intereson nëse vendi është në krizë, pasi kjo Qeveri e papërgjegjshme nuk është produkt i votës së lirë të shqiptarëve. Dhe manipulimin e zgjedhjeve nuk e vuan Sali Berisha por qytetarët e qytetaret e thjeshtë të Shqipërisë”, deklaroi Klosi. Ai shtoi se për sa kohë standardet e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme nuk do të arrihen, për sa kohë vota ndryshe do të hidhet në kuti e ndryshe do të numërohet, për sa kohë vullneti i popullit do të shtrembërohet, ashtu siç ndodhi më 28 qershor, kjo situatë nuk ka për të ndryshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›