Krerët e komisioneve, peng i PS
bledar hoti
Socialistët mbajnë peng emrat e drejtuesve në tetë komisionet parlamentare. Plotësimi i emrave të deputetëve me anëtarët e komisioneve nga ana e grupit parlamentar të PS-së, i kryer në seancën e fundit plenare, nuk është shoqëruar dhe me caktimin e kryetarëve dhe të nënkryetarëve. Gjithashtu socialistët nuk kanë përcaktuar akoma as emrin e nënkryetarit të Kuvendit, ku dihet se nga tre të tillë, një do ti përkasë opozitës.
PS ka pretenduar prej kohësh se kërkon të jetë e barabartë me maxhorancën për sa i përket kryesimit të komisioneve parlamentare. Ajo kërkon që të ketë kryetar në katër prej tyre. Duket se kjo është arsyeja që nga selia rozë ka mbërritur në Kuvend vetëm lista emërore e anëtarëve të komisioneve, por pa përcaktuar se cilët janë kryetarët apo nënkryetarët e tyre.
Nga tetë struktura të tilla parlamentare, 3 prej tyre do të drejtohen nga ana e socialistëve. Kështu komisionet e Medias, Shëndetësia dhe Integrimi do të ketë kryetarë socialistë dhe nënkryetarë demokratë. Ndërsa pesë të tjerat do të kenë kryetarë demokratë dhe nënkryetarë socialistë. Gjithashtu socialistët nuk kanë përcaktuar nënkryetarin e sekretarin e Grupit si dhe emrat e katër anëtarët në Byronë e Kuvendit. Kryesia e komisionit të përhershëm përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari i komisionit, ndërsa ajo e nënkomisionit nga kryetari dhe zëvendëskryetari. Përcaktimi i përbërjes së kryesive të komisioneve të përhershme dhe të nënkomisioneve sipas rregullores bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.
Rritja e shpenzimeve të Kuvendit
Ndryshimi më i fundit i Rregullores së Kuvendit për shtimin e numrit të anëtarëve në komisione nga përfaqësues të maxhorancës pritet të sjellë dhe një shtim të shpenzimeve nga ana e buxhetit të shtetit. Maxhoranca ka shtuar ndjeshëm numrin e anëtarëve të saj në 8 komisionet për të pasur të drejtën e ruajtes së balancës me opozitës, por një gjë e tillë do të sjellë dhe një rritje të shpenzimeve për sa i përket pagesës së deputetëve. Janë 23 deputetë që iu janë shtuar 8 komisioneve. Në bazë të vendimit të Kuvendit çdo deputet për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve paguhet me 2 mijë lekë të reja. Në rast se për një ditë mblidhen 8 komisione atëherë i bie që kostoja shtesë është 46 mijë lekë të reja. Komisionet që bëjnë më shumë mbledhje janë ato të Ligjeve, Sigurisë, Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese. Këto komisione janë më të lakmuara nga deputetët për të qenë anëtarë të tyre. Kështu PD-ja nga 11 anëtarë që kishte, tani do të përfaqësohet me 15 anëtarë gjithsej. Ligjet kanë një mesatare mujore të mbledhjes 10 herë në muaj. Nëse një deputet që merr pjesë në dy komisione i bie që të paguhet jo më 2 mijë, por 4 mijë lekë të reja në ditë.
Në seancën e fundit, maxhoranca ndryshoi Rregulloren duke dhënë të drejtën deputetëve të jenë anëtarë në dy komisione. Më përpara një gjë e tillë nuk lejohej. “Si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Në respektim të raporteve shumicë parlamentare-opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme. Deputeti mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote”, thuhet në nenin 20 të ndryshuar në seancën e 4 marsit. Për shkak se një pjesë e ministrave janë deptuetë, maxhoranca kishte numër të vogël të anëtarë përballë atyre të opozitës që gjithsej janë 64 deputetë. Në bazë të nenit 20, pika 1 të Rregullores, Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme. Nisur nga ky fakt PD-ja mori nismën të amendojë Rregulloren e Kuvendit, për tu mos e ndjerë e rrezikuar në shqyrtimin e projektligjeve nëpër komisionet parlamentare.
komisionet parlamentare
Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Nënkryetari i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Nënkryetar i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Nënkryetari i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Politikën e Jashtme
Nënkryetari i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Nënkryetari i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Kryetari i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Integrimin Evropian
Kryetar i takon Partisë Socialiste
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Kryetari i takon Partisë Socialiste
Partia Socialiste nuk ka përcaktuar nënkryetarin e sekretarin e Grupit si dhe emrat e katër anëtarët në Byronë e Kuvendit