Morina: Dua të jem sërish përcaktues për Tiranën
Talenti bardheblu mendon më shumë për skuadrën dhe është pothuajse i bindur se do të fitojnë titullin këtë sezon me Tiranën
Të mërkurën, kryeqytetasit kanë fituar 3-1 ndaj skuadrës së Kristaq Miles, e cila katër ditët e fundit ka luajtur dy sfida në Selman Stermasi, në kampionat me Dinamon, 0-0. Ky takim u luajt për fazën në grupe të Kupës së Shqipërisë, ku Tirana shfaqi dhe një herë potencën e saj, duke i rikthyer vëmendjen opinionit sportiv se pas barazimit në Shkodër nuk ka më vend për rezultate të tjera, veç fitores.
Po të kalojmë te ndeshja e fundit në kampionat, ishte Morina që riktheu Tiranën në lojë me golin e tij në minutën e 73-të, duke çuar shifrat në 2-1 për Vllazninë. Dy minuta pas golit të tij barazon shifrat Duro dhe me kaq përfundon takimi. Kurse në kupë sulmuesi bardheblu nuk ka qenë i pranishëm si pasojë e dëmtimit që i ka kaluar tashmë. Dje ai ka qenë në fushë për trajnim, madje dhe ka shënuar në minindeshjen e kontrollit.
Pas seancës stërvitore, 19-vjeçari Mario Morina, për Sportin shqiptar, shprehet: Nga ndeshja e kaluar, dua të them se isha në një formë të shkëlqyer dhe e tregova me golin e shënuar. Munda që ti riktheja shpresën për fitore Tiranës pas atij rezultati dramatik në ato minuta për skuadrën, pasi nuk kishte logjikë që ne ta pranonim diçka të tillë. Shënova dhe i dhashë një frymëmarrje ekipit dhe më pas Duro shënoi.
Pra, e mbyllëm ndeshjen në barazim, por nëse sdo të kishim gabuar në disa raste, mund të kishim fituar ndaj shkodranëve, por gjithsesi edhe me aq mbetem i këanqur. Ndërsa sot (dje) pashë që dëmtimin e vogël që pësova në Shkodër e kam kaluar, sepse nuk pata më shqetësime gjatë stërvitjes, mbase ka ndikuar dhe dita e mërkurë që unë isha pushim.
Bylisi Shpresoj që në takimin që vjen me Bylisin të shpërthej dhe të jap maksimalen, pse jo dhe të shënoj, duke i dhënë ekipit fitoren. Dua të jem surpriza e kësaj jave, pasi kjo do më bëjë të ndihem më mirë, po ashtu edhe për ekipin, që do patjetër tripikëshin e radhës për të qëndruar në krye. Dua të kthehem te ndeshja e lënë pas, ajo me Vllazninë, ku golin nuk e shënova vetëm për ditëlindjen time, por edhe për Tiranën, e cila duhet të qëndrojë në krye.
Për sa i përket Bylisit, pra ndeshja që do të luajmë të dielën këtu në Tiranë, mua më duket si një ndeshje radhe, ku duhet të mos e diskutojmë fitoren. Djemtë e skuadrës, në takimin e kupës, nuk besoj se dhanë maksimumin e tyre, pasi mendojnë më shumë për kampionatin, mendojnë vetëm për fitore radhë pas radhe. Ne gëzojmë një formë të shkëlqyer dhe besoj se do të bëjmë më të mirën në javët që do të vijnë. Nuk mendoj se ka ndonjë ekip tjetër për titull veç Tiranës këtë vit. Rivalët tanë mbeten vetëm në letër, pasi në fushë kemi ne kualitete, përfundon sulmuesi Morina.
Sina me tre të verdha, mungon ndaj Bylisit
Dje skuadra i është rikthyer stërvitjes në ambientet e kompleksit sportiv Skënder Halili. Trajneri Hulio Rubio ka pasur në dispozicion të gjithë skuadrën, pasi nuk ka të dëmtuar dhe të larguar nga grupi. Trajnimi ka filluar në orën 16:00 dhe futbollistët kanë dalë në fushë, duke kryer veprime aerobike e më pas disa vrapime të lehta. Pas kësaj tekniku spanjoll ka bërë një minitestim për lojtarët, duke iu organizuar një ndeshje kontrolli për pak minuta. Ndaj Bylisit do të mungojë mbrojtësi Sina, sepse vuan dënimin e tre kartonëve të verdhë.
Tirana regjistrohet në QKR si sh.a, i shpëton penalizimit
Dje është mbeldhur bordi drejtues i FK Tirana për herë të parë pas krijimit të tij më datën 12 tetor, kur vendosi shndërrimin në sh.a. të klubit bardheblu. Në këtë takim ka qenë të pranishëm kryebashkiaku Lulzim Basha, numri dy i skuadrës Alban Tafaj dhe më pas të gjithë drejtuesit e bordit të këtij klubi. Pas një diskutimi në këtë mbledhje, i cili ka qenë i bazuar mbi të ardhmen e ekipit të Tiranës është vendosur që të bëhet regjistrimi në QKR me pronar të vetëm Bashkinë e Tiranës, e cila është tashmë zotëruese e 100% të aksioneve të këtij klubi.
Ky fakt hedh poshtë idetë për penalizimin deri në -10 pikë nga ana e FSHF-së dhe FIFA-s nëse ky klub nuk do të bënte shndërrimin në shoqëri aksionare deri më 15 tetor. Shndërrimi në fjalë u arrit më 12 tetor, por vonesa me proçedurat ligjore për regjistrimin në QKR sollën këtë dhe që dje në mbrëmje do të përfundonte kalvari i pritjes për këtë klub. Tashmë Tirana nuk rrezikon asnjë penalizim dhe do të vijojë rrugën e nisur në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.
