E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, pranë rikthimit në Superligë

Pas 22 javësh kampionat në Kategorinë e Parë, Partizani prek për herë të parë zonën e Superligës, duke besuar tashmë në kompletimin e misionit të domosdoshëm për vetë emrin e madh të klubit kryeqytetas, por që u vu vërtetë në dyshim, pas krizës së fortë që përjetuan të kuqtë. Suksesi 3-0 në transfertën me Bilisht Sport, në ndeshjen e prapambetur të javës së 16-të, e ka ngjitur skuadrën e Gerti Haxhiajt, në drejtim të Partizanit prej dy ndeshjesh, në vendin e katërt me 39 pikë, 4 pikë më pak se Lushnja dhe Elbasani.

Një ecuri pozitive, në fakt, në dy muajt e fundit ka ndryshuar rrjedhën e sezonit për Partizanin, që tani vërtetë beson. Një nga klubet më titullar të Shqipërisë, që luan sezonin e dytë në 64 vjet histori në Kategorinë e Parë, është pranë rikthimit në elitën e futbollit, kur duhen edhe 8 ndeshje deri në mbylljen e sezonit. Të kuqtë, nën asistencën e një eksperti të fushave si Starova, kanë afruar sërisht në skuadër Beqirin, Hallacin, Rizvanollin, Capan, apo portierin Mustafa, duke krijuar një formacion solid, që mund të garantojë ngjitjen në Superligë.

E megjithatë, të kuqtë kërkojnë vendin e dytë, për të shmangur play-off, i cili mund të jetë i hidhur për Partizanin, ashtu si një vit më parë, e për tia arritur qëllimit, objektivi është vetëm fitore, madje duke nisur nga ndeshja në Tiranë kundër Pogradecit.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›