E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chivu s’kishte frikë

Christian Chivu ka pranuar se ishte “nervoz, por jo i frikësuar” në paraqitjen e tij të parë pas operacionit në kokë. Mbrojtësi i Interit u desh t’i nënshtrohet operacionit urgjent më 6 janar, kur ishte përplasur kokë me kokë me sulmuesin e Chievos, Sergio Pellisier. Ai u kthye në fushë të mërkurën mbrëma në fitoren 3-0 ndaj Livornos, ndërsa barti helmet mbrojtëse në stil të Petr Cech.

“Nuk kisha frikë, jo. Por, duhet të pranoj se kam qenë më nervoz se zakonisht. Për herë të fundit kur kam ndjerë emocione të tilla ishte më Euro 2000, kur luaja ndeshjen e parë për ekipin kombëtar. Shkoi mirë, djelmoshat ishin shumë afër meje në fushë dhe jashtë saj. Duhet t’i falënderohem të gjithëve sepse kjo është intervista ime e parë pas lëndimit. Nuk dua të përmend emra sepse mund të harroj dikë. Vetëm dua t’u falënderohem të gjithëve që kanë qenë afër meje dhe më ndihmuan gjatë kësaj kohe”, tha Chivu për mediet italiane.

Chivu nuk ishte pritur të fillojë ndeshjen kundër Livornos, pasi nuk kishte bërë ende asnjë paraqitje as si zëvendësues. “E kam kuptuar gjatë ditës kur trajneri na tregoi formacionin. Jam i lodhur, por i lumtur me rikthimin dhe fitoren e ekipit”, u shpreh Chivu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›