E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani pret te festoje sot pasdite

Pas një viti lëngim në rrethin e tretë të “ferrit”, është koha që të kuqtë të ngjiten një kat më lart. Partizani do të luajë sot në orën 17:00 ndaj Këlcyrës, në ndeshjen e javës së fundit të Kategorisë së Dytë dhe është thuajse i kualifikuar për në të parën.
Natyrisht, do t’i duhet fitorja në “Selman Stërmasi”, por kështu si kanë rrjedhur ujërat në këtë kategori, askush nuk dyshon në suksesin vendas. Skuadra e Marko Pelinxhit dhe Perlat Mustës ka 49 pikë ndaj 48 të Naftëtarit të Kuçovës dhe ndonëse ka shënuar disi me pikatore, është pranë arritjes së qëllimit të madh.

Besohet se qindra e mijëra tifozë do të jenë në stadiumin e dytë të kryeqytetit për t’iu gëzuar momentit magjik të ngjitjes në kategori. Më pas, sezonin e ardhshëm, do të bëhet përpjekja tjetër e madhe për të arritur Superligën, pra elitën që pak kohë më parë nuk mund të kuptohej pa Partizanin.

Në të njëjtën orë, festë besohet se do të ketë edhe në Pukë, pasi Tërbuni është gjithashtu në prag të ngjitjes për në Kategorinë e Parë, si kryesues i grupit A. Pukjanët do të presin Korabin e Peshkopisë, ndërsa Sukthi që ndodhet 2 pikë pas tyre, do të luajë në fushën e Olimpikut në Yrshek të Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›