E Diel, 1 Nëntor 2026

Basketboll Apollonia shpallet kampione e Shqiperise per femra

Pas shtatë sezonesh nuk do të jenë më kuqezi ngjyrat e kampiones në basketbollin shqiptar të femrave. Flamurtari rezistoi fort, por u detyrua t’i hapte rrugë Apolonisë pas 5 ndeshje finale në plej of, me mbylljen që u bë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Fieraket fituan 64-49 dhe krejt finalen e plej ofit me 3 fitore ndaj 2 të vlonjateve, duke rikthyer titullin kampion në qytetin e tyre të ri dhe aspak të vogël pas plot 37 vjetësh.

Flamurtari luftoi fort, duke qenë vetëm 2 pikë larg në pushim të ndeshjes, ndërsa në dy periodat e fundit, Apolonia e rriti ritmin duke e lënë prapa kundërshtarin.

Ishte kjo një histori e bukur e vajzave të drejtuara nga trajneri Spiro Kuvarati, që u detyruan t’i luanin 3 ndeshjet shtëpiake në Durrës, pasi vetë Fieri nuk plotëson kushtet finale të tilla. Pa dyshim, ka ardhur koha që ky qytet i rëndësishëm ta ketë një pallat sporti.
Gjithnjë ka diçka të veçantë në titujt e Apolonisë, që janë gjithsej dy. Në sezonin 1974-1975, vajzat fierake i dhanë fund hegjemonisë së 17 Nëntorit të atëhershëm, Tiranës së sotme, që kishte fituar 26 tituj radhazi, një rekord botëror që reziston edhe sot. Këtë herë, Apolonia ndali hovin vlonjat pas 7 titujve.

Vërtetë janë vetëm 2 tituj, por vajzave nga Fieri sot nuk u shkon mendja të numërojnë, por të festojnë, ndërsa ekipi i tyre bën pjesë në panteonin e vetëm 6 skuadrave që kanë mundur të fitojnë titullin kampion në Shqipëri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›