Studentët, jo përfitim nga liberalizimi i vizave
SHKODER – Konsulli italian në Shkodër sqaron se studentët nuk do të kenë lehtësim nga liberalizimi i vizave. Duke marrë shkas nga aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të muajve të miqësisë Itali-Shqipëri, Stefano Marguçio u shpreh mbi kategoritë përfituese. Sipas konsullit italian, “studentët shqiptarë nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Edhe nëse në verë Shqipëria përfshihet në procesin e liberalizmit të vizave, studentët nuk do të kenë lehtësi procedurash”. Marguçio ka shtuar më tej se nëse do të kemi liberalizim vizash, do të jetë i vlefshëm për vizat Shengen të kategorisë C. “Pra vizat që liberalizohen janë me afat të paracaktuar qëndrimi, jo më shumë se 90 ditë. Ndërkohë që vizat për studentët janë viza të kategorisë D. Bëhet fjalë për lejeqëndrimi me afat të gjatë dhe këtu nuk kemi liberalizim”. Në këtë kategori, si studentët, hyjnë dhe aplikimet për punësim në Itali, bashkim familjar që cilësohen viza nacionale ose me qëndrim më të gjatë se 90 ditë. “Për këtë kategori procedurat do të jenë të njëjta, ku i vetmi ndryshim do jetë koha fizike e shqyrtimit dhe miratimit të kërkesave”. Nga liberalizimi i vizave, kategoritë përfituese janë ato që synojnë aktivitete të caktuara, qoftë biznes apo dhe për gazetarët, gjithnjë në limitin 3-mujor të vizës Shengen. çdo vit numri i të rinjve që aplikojnë për studime në Itali është në rritje. Për zonën e veriut, të gjitha kërkesat bëhen në konsullatën e Shkodrës. Nga vit në vit, mënyrat e aplikimit kanë ardhur duke u përmirësuar, duke u zvogëluar burokracitë, kjo falë dhe kompjuterizimit të aplikimeve. Megjithatë, muaji shkurt shënoi një numër të pakët kërkesash, që sipas konsullit mund të justifikohen me ardhjen e festave, me pritjen që po bëhet për liberalizimin e vizave ose me kushtet ekonomike. r.d