E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet në sy të familjes biznesmeni i ndërtimeve



SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Ekzekutohet në sy të familjes biznesmeni Shkodran. Astrit Meshnuni, u vra mbrëmë rreth orës 21:15 me breshëri automatike pranë shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi teksa viktima do të futej në banesën e tij në Lagjen “Perash” në afërsi të shkollës 9 -vjeçare “Ali Laçja”. Sipas policisë, 45- vjeçari ishte me gruan dhe një fëmijë kur është ndeshur me personin që e ekzekutoi, i cili sipas të dhënave ka qenë i pamaskuar. “Meshnuni sapo kishte mbërritur te porta e oborrit me mjetin e tij, brenda së cilës kishte bashkëshorten dhe një vajzë. Pasi ka dalë nga makina për të hapur portën e banesës private ku do të parkonte, ai është përballur me vrasësin”, bëri të ditur policia e Shkodrës. Nga hetimet paraprake rezultoi se viktima sapo ka zbritur nga mjeti ka debatuar me autorin, i cili ishte i vetëm dhe po e priste. Pasi kanë shkëmbyer vetëm pak fjalë me njëri-tjetrin, autori ende i paidentifikuar ka nxjerrë armën automatike që e kishte fshehur poshtë xhupit dhe e ka qëlluar duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas ai është larguar me shpejtësi nëpër rrugicën e ngushtë. Dyshohet se në fund të asaj rruge, autorin mund ta kenë pritur persona të tjerë me makinë. Viktima u dërgua menjëherë në spitalin e Shkodrës, por për shkak të plagëve të shumta ai ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas. Burime nga Mjekësia Ligjore bënë të ditur se Meshnuni ka marrë disa plagë në kokë, nëpër trup, kryesisht në pjesën e poshtme të barkut dhe në këmbë. Policia gjeti në vendin e ngjarjes, 10 gëzhoja të cilat i kanë kaluar laboratorit të Kriminalistikës për ekspertizën balistike. Astrit Meshnuni njihej si një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shkodër në fushën e ndërtimeve. Gjithashtu ai ishte personi që ndërtoi kompleksin tregtar “Bexhisteni” që ndodhet tek ish-pazari i vjetër i Shkodrës, në afërsi të Urës së Bunës dhe njëkohësisht pronar i lokalit luksoz me të njëjtin emër “Berxhisteni”. Gjithashtu 45-vjeçari ishte edhe pronar i një sërë njësive tregtare po në këtë kompleks. Mësohet se në periudhën 1991-1994, Astrit Meshnuni ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit, fillimisht si punonjës në grupet e gatshme dhe më pas edhe në sektorin e FNSH-së. Policia po heton për këtë ngjarje të rëndë, por deri më tani nuk ka një pistë të vetme. Burimet bënë të ditur se dyshohet për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur viktima, ose edhe për shkak të konkurrencës nga veprimtaria e tij në fushën e ndërtimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›