E Diel, 1 Nëntor 2026

Trasetë e kalbura, del nga shinat treni i pasagjerëve



Del nga shinat, treni i linjës Shkodër-Tiranë. Amortizimi i traversave të hekurudhës, në afërsi të Lezhës, ka rrezikuar jetën e mbi 50 udhëtarëve. Sipas pasagjerëve, të cilët udhëtonin në këtë linjë, aksidenti ndodhi sapo treni la stacionin e tij në Lezhë, duke udhëtuar në drejtim të Shkodrës. Ende pa kaluar 3 km, në dalje të Lezhës, ai ka dalë nga shinat. Traversat e kalbura thuajse plotësisht e kanë bërë të pamundur lëvizjen normale mbi hekurudhë. Ngjarja u shënua rreth orës 15:45 dhe sipas burimeve, tre vagonë të trenit ishin të mbushur me pasagjerë. Mbyllja e javës ka bërë që në këtë udhëtim të kishte shumë studentë. Udhëtarët kanë nisur të ulërinin nga frika, pasi treni ka vazhduar të ecë për inerci edhe për 50 metra të tjerë në tokë, pastaj ka ndaluar plotësisht. Sapo është ndaluar, pasagjerët kanë lënë vagonët, duke dalë menjëherë në rrugën automobilistike. Policia e Lezhës është njoftuar për këtë ngjarje, duke shkuar me shpejtësi në vend. Nga të dhënat e para është konfirmuar se nuk ka asnjë të lënduar, pasi shpejtësia e trenit ka qenë e vogël, kjo nisur dhe nga fakti se sapo ishte nisur nga stacioni. Ndërkohë që pasagjerët janë nisur në drejtim të Shkodrës, ku edhe kishin destinacionin me makina të rastit, ekspertë të hekurudhës janë nisur nga Durrësi, për të parë nëse lokomotiva e trenit së bashku me vagonët ka pësuar ndonjë dëmtim të mundshëm si dhe për ngjitjen e tyre në trasenë e hekurudhës. Po kështu një brigadë e hekurudhës që merret me zëvendësimin e binarëve të shinave të trenit ka mbërritur në Lezhë, për të bërë të mundur edhe riparimin e shpejtë të kësaj pjese traseje. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›