E Shtunë, 31 Tetor 2026

”Pas 20 vitesh - Reflektime mbi demokracinë dhe shtetin në Shqipëri”



Ani Ruci

Konferenca organizohet në kuadër të Tetorit gjerman, nga Fondacioni gjerman “ Friedrich Ebert”, Instituti shqiptar për studime Ndërkombëtare, Qendra për studime në Europën Juglindore në Universitetin e Gracit. Njohja e të kaluarës është çelësi për të kuptuar të tashmen dhe projektuar të ardhmen. Nisur nga kjo e vërtetë e njohur kjo konferencë hapi debatin për arritjet e Shqipërisë në dy dekadat e fundit, dështimet dhe sfidat e së ardhmes. Bernd Fischer, ekspert i çështjeve shqiptare nga Universiteti Indiana, konsideroi arritje të dukshme të 20 viteve të fundit, periudhë që përkon më rënien e regjimit komunist dhe periudhën e tranzicionit, marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas 20 vitesh Shqipëria është një partnere e besueshme e Perëndimit, anëtare e NATO-s, vend që ka nënshkruar MSA, tha ai. Në planin e brendshëm sukses është vendosja e demokracisë dhe pluralizmi politik . Por dështimi më i dukshëm, sipas Bernd Fischer është natyra e partive politike, që kanë mbetur sipas modelit të regjimit të kaluar. Lidershipi politik në Shqipëri është authoritar, i mungon toleranca dhe gatishmëria për kompromis.
Ndërsa Nikolas Panos, nga SHBA, tha se dështimi më i madh i Shqipërisë në këto 20 vite është mbetja e pazgjidhur e çështjes së pronës, mosvajtja e pronës tek pronarii ligjshëm. Ai kritikoi klishetë e tipit “Në Shqipëri është bërë shumë progress, por më shumë duhet bërë”, që ndeshen shpesh në raportet e organizatave ndërkombëtare. Nikolas Panos tha sot ne Tirane se ato janë te dëmshme dhe jo konstruktive për zhvillimin e vendit. Mjaft kritik ndaj bilancit të Shqipërisë në 20 vitet e pas shembjes së regjimit komunist ishte këndvështrimi i publicistit dhe analistit të njohur politik Fatos Lubonja. Ai e cilësoi pluralizmin politik në Shqipëri, një hibrid mes të shkuarës komuniste dhe demokracisë. “ Pluralizmi politik në Shqipëri nuk është pluralizëm i vërtetë, pasi ky i fundit nënkupton dialogun, përfaqësimin e interesave të ndryshme me programe alternative. Në Shqipëri kemi vetem dy ndarje të ish Partisë së Punës, që kanë tendenca konfliktuale, nuk janë pro dialogut dhe njëlloj si në kohën e ish nomenklaturës komuniste, kanë një shkëputje nga njerëzit, nga baza, e cila vjen duke u thelluar. Prandaj ky nuk është një pluralizëm i vërtetë.” tha Fatos Lubonja.
Shqipëria – larg nga të qënit një histori suksesi
Miranda Vickers, eksperte e çështjeve shqiptare në Londër, u ndal në transformimin mbresëlënës të Tiranës në këto 20 vite. Por sipas saj megjithë arritjet Shqipëria nuk përbën një histori suksesi. “Shqipëri është larg të qënit një histori suksesi. Arritjet e qeverisë errësohen nga probleme serioze si niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e nje gjyqësori të pavarur.” Një nga mangësitë e dukshme për Miranda Vickers është qëndrimi mospërfillës ndaj mjedisit, shkaterrimi i tij, si pasojë e zhvillimit të pakontroluar nga shteti. Konferenca vazhdon me çöshtjet, qe lidhen me kalimin nga një shtet i gjithëpushtetshëm në një shtet demokrartik dhe ato te transformimit social dhe ekonomik ne 20 vitet e fundit. Kjo konferencö ndörkombötare zhvillohet ne kuader te aktiviteteve te Tetorit gjerman.

Reformohet FMN-ja, mosmarrëveshje rreth eksporteve dhe kursit të monedhave

Bahri Cani

Ministrat e Financave të G20-s kanë rënë dakord për reformimin e FMN-së. Mospajtime serioze mes SHBA-së dhe vendeve më të mëdha eksportuese si dhe kritika ndaj Kinës për kursin e ulët të monedhës së saj. Ministri amerikan i Financave Timothy Geithner kërkoi uljen e tatimeve në ditën e parë të takimit me homologët e tij nga dhe shefat e bankave qendrore nga 20 vendet më të zhvilluara industriale dhe atyre në ekspansion, që po zhvillohet në Korenë e Jugut. Ideja e tij ishte që në këtë mënyrë të evitohen tepricat e mëdha tek vendet e mëdha eksportuese. Ai ishte ndër të parët që përshëndeti nikoqirin e takimit Yoon Jeung-Hyun dhe së bashku me homologun e tij kanadez përpiqej të fitonte mbështetje për pozicionin amerikan.
Mosmarrëveshjet e SHBA-së me Gjermaninë dhe fuqitë e tjera eksportuese
Në një letër të dërguar më parë, ai ka kërkuar që të përcaktohen sakt kufijtë e tepricave tregtare dhe deficiteve. Kërkesa ishte e drejtuar në radhë të parë drejt fuqive më të mëdha eksportuese si Gjermania, Kina dhe Japonia. Gjatë vitit të kaluar teprica tregtare e Gjermanisë, për shembull, ishte rreth pesë per qind e prodhimit të përgjithshëm. Ministri amerikan i Financave kërkonte që kufiri më i lartë të jetë katër per qind, që u refuzua jo vetëm prej Gjermanisë, por edhe prej vendeve të tjera eksportuese. "Për këtë çështje ne duhet të flasim, por synimet e përcaktuara nuk janë reale", theksoi ministri japonez i Financave, Yoshihiko Noda. Mes SHBA-së, e cila tradicionalisht më shumë importon se sa eksporton mallra, dhe vendeve eksportuese ka grindje prej kohësh lidhur me politikën ekonomike. Për momentin këto grindje po zhvillohen në formën e luftës për kursin e monedhës në këto vende.
Kritika të shumta ndaj Kinës
SHBA-ja dhe vendet e tjera të industrializuara janë të mendimit se Pekini zyrtar artificialisht po mban një kurs të ulët të Yuanit për të përfituar nga tregjet botërore. Presidenti i Koresë së Jugut Lee Myung-bak apeloi që të kihet më shumë kujdes dhe të zgjidhet problemi me kurset e këmbimit të monedhave. „Të gjitha vendet duhet të përfitojnë në mënyrë që të kemi një situatë win-win për të gjithë“, tha ai. Presidenti i Koresë së Jugut kërkoi që pjesëmarrësit t'u përmbahen premtimeve edhe për reformimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Evropa është e gatshme të heqë dorë nga dy vende në FMN dhe mbështet idenë që ato t'u jepen Kinës dhe Indisë, në mënyrë që të shtohet influenca e vendeve në ekspansion. Këto të dhëna i ka konfirmuar dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Brüderle i cili në këtë takim po zëvendëson ministrin e sëmurë të Financave, Wolfgang Schäuble. Bruderle konfirmoi se FMN-ja gjendet para një reforme të thellë, sepse vendet e industrializuara kanë rënë dakord për rishpërndarjen e pushtetit në këtë organizëm.

25 Tetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›