E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret vrasësi i kambistit para se të dilte në gjyq



KORÇË – I akuzuari për vrasjen e kambistit në Pogradec nuk ka pritur për të dalë para gjyqit për krimin që ka bërë, por i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se dje pasdite është gjetur i vdekur në qelinë e paraburgimit shtetasi Bashkim Muçka. Ai ka përdorur një çarçaf për të mbytur veten, teksa ndodhej i vetmuar në mjediset e Burgut të Drenovës, në periferi të qytetit të Korçës. Dyshohet se 55-vjeçari i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit brenda qelisë së burgut. Policia ka bërë të ditur se Muçka ndodhej prej disa muajsh në qelitë e paraburgimit në Drenovë, në pritje për të dalë përpara gjykatës, nën akuzën e vrasjes së kambistit Beqir Basha. Ngjarja që ndodhi në muajin tetor tronditi të gjithë qytetin, pasi Muçka vrau kambistin Basha, i cili ishte edhe miku i tij. Burimet hetimore në atë periudhë bënë të ditur se Muçka e kishte thirrur në banesë kambistin, me synimin për ta grabitur dhe më pas për ta ekzekutuar. Viktima, lindur dhe banues në Pogradec, me profesion ushtarak, është babai i dy fëmijëve. Burime për gazetën sqarojnë se vajza e Muçkës është studente, ndërsa djali emigrant në Itali. Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore që ka dalë në konkluzionin e vetëvarjes.

SHKURT
Arrestohet 45-vjeçari, iu gjet në lokal pistoleta spanjolle

SHKODËR – Një aksion i rrufeshëm i policisë ka sjellë arrestimin e një 45-vjeçari në orët e vona të mbrëmjes, pasi i është gjetur brenda në lokal një armë zjarri. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 21.00, u bë e mundur prangosja në flagrancë e shtetasit Sandër Lazri, lindur e banues në fshatin Rragam të Komunës së Gurit të Zi në rrethin verior. Sipas tyre, “arrestimi i tij u bë pasi, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative që në një lokal privat, në lagjen “M. Lula”, kishte persona të armatosur. Pas kontrollit të ushtruar brenda në mjediset e lokalit, shtetasit Sandër Lazri i është gjetur në brez dhe i është sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, e markës spanjolle, me një krehër të vendosur në të, i cili kishte brenda tetë fishekë. Materialet në ngarkim të Lazrit i kaluan prokurorisë, pasi ai akuzohet për “armëmbajtje pa leje”.

Shkon për të riparuar defektin, shkrumbohet në kabinë i moshuari

DURRËS – Një burrë në moshë të thyer po lufton me vdekjen në spital, pasi u dogj në brendësi të një kabine elektrike në Plazhin e Durrësit, ku u fut në përpjekje për të rikthyer energjinë e munguar elektrike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se i lënduari është shtetasi Eqerem Ismaili, lindur në Librazhd dhe banues në Lagjen Nr. 13 të Plazhit. Sipas tyre, 62-vjeçari Ismaili ka hyrë të dielën në mëngjes, rreth orës 09.00, në kabinën elektrike të Filialit Nr. 71 me qëllim që të rregullonte linjën elektrike. Sipas hetimit, 62-vjeçari nga pakujdesia ka rënë në rrymë elektrike dhe është dëmtuar rëndë duke marrë plagë djegieje në trup. Në atë gjendje, ai është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës nga familjarët e tij. Mjekët thonë se gjendja e 62-vjeçarit është kritike për jetën.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›