“Mjaft”, protestë për ministrin Basha te Gjykata e Lartë
Tiranë - Lëvizja “Mjaft” protestoi dje para Gjykatës së Lartë, duke kërkuar që ky institucion të mos u shmanget detyrimeve kushtetuese lidhur me gjykimin e çështjes “Basha”. “Mjaft” kërkoi që Gjykata e Lartë të marrë në shqyrtim gjykimin e ministrit të Jashtëm për aferën e Rrugës Durrës-Kukës, çështje që aktualisht, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjin shqiptar, po gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë. “Mjaft” është shumë e shqetësuar për shkeljet ligjore që po ndodhin në gjykimin e ministrit Lulzim Basha për aferën e Rrugës Durrës-Kukës. “Ne vërejmë se në këtë gjykim ka shkelje të hapura të dispozitave kushtetuese dhe ligjore. Në momentin që Lulzim Basha ka dërguar çështjen e tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, është shkelur Kushtetuta e Shqipërisë”, - tha Elisa Spiropali, aktiviste dhe drejtuese e “Mjaft”-it. Ajo shtoi se në këtë mënyrë, qeveria “Berisha”, si dhe instrumentet që ajo përdor brenda sistemit gjyqësor, po i japin një shuplakë të fortë drejtësisë dhe demokracisë shqiptare, duke anashkaluar ligjet përkatëse dhe strukturat kompetente. Spiropali theksoi se Gjykata e Lartë duhet të zbatojë ligjin dhe të marrë në gjykim ministrin Basha. “Lëvizja “Mjaft” është e mendimit se në këtë mënyrë po tronditen themelet ligjore të shtetit të së drejtës, duke dhënë shembullin më të keq për qytetarët, të cilëve u kërkohet të zbatojnë ligjin dhe t’u nënshtrohen gjykatave për një trajtim të paanshëm të çështjeve. Në gjykimin e çështjes “Basha” nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë janë shkelur të paktën tri dispozita ligjore: Neni 141 i Kushtetutës, i cili sanksionon se Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore të anëtarëve të Këshillit të Ministrave etj. Neni 85 i Kodit të Procedurës Penale, i cili sanksionon se kur një gjykatës i Gjykatës së Shkallës së Parë konstaton se çështja në gjykim nuk i përket juridiksionit të tij, shpall moskompetencën. Si dhe Neni 17, pika “ë” e Kodit të Procedurës Penale, e cila sanksionon se gjykatësi është i detyruar të heqë dorë nga çështja në gjykim kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme papajtueshmërie”, - theksoi Spiropali.
13 Janar 2009