Viktor Prendi: “Nënën e vrava se na e kishte sjellë në majë të hundës”
Jonida Tashi
Drafti i ri, që pritet të miratohet nga qeveria për pensionet e ish-ushtarakëve, jo vetëm që nuk i përmirëson të drejtat e tyre ekonomike, por i përkeqëson ato. Megjithëse nuk janë njohur ende me këtë draft, kryesia e Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, sipas informacioneve të marra në mënyrë zyrtare, ka bërë kalkulimet paraprake për përfitimet e ish-ushtarakëve sipas këtij drafti. Kështu, sipas tyre, rillogaritja e pensioneve të ish-ushtarakëve sipas vjetërsisë në punë dhe kontributeve, pa marrë parasysh titujt dhe gradat që ata mbajnë, përkeqëson përfitimet ekonomike dhe financiare të çdo ish-ushtaraku. “Për këtë arsye, ne e çuam ligjin e mëparshëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila na dha të drejtë”, - pohon kreu i Shoqatës së Ushtarakëve, Mehdi Pogaçi. Gjithashtu, ai bën të ditur se edhe nëse ky ligj do të miratohet nga qeveria dhe parlamenti, ish-ushtarakët do ta kundërshtojnë atë, pasi, sipas logjikës së tyre, ai është një ligj që bën hapa mbrapa. Por, përveç llogaritjeve paraprake, ish-ushtarakët kanë nxjerrë edhe përfundimet se pse qeveria nuk ia ka paraqitur kryesisë së shoqatës draftin e ri.
Fshehja
Qeveria po fsheh draftin e ri për rillogaritjen e pensioneve të ish-ushtarakëve, pasi ai është në kundërshtim me ligjet që ajo ka miratuar. Ky është reagimi më i fundit i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë në lidhje me këtë draft të shumëpërfolur. “Kundërshtimi që ka ky draft me ligjet e mëparshme dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese është shkaku që qeveria nuk na e jep këtë projekt dhe nuk kërkon bashkëpunimin tonë. Uroj që qeveria të mos e miratojë atë në fund të mandatit të saj dhe t’ia lërë atë pasardhëses së saj”, - shprehet Mehdi Pogaçi. Sipas këtij të fundit, qeveria i ka ligjet për pensionet e ish-ushtarakëve, nevojitet vetëm nxjerrja e akteve nënligjore që ata të zbatohen në mënyrë që të fillojnë efektet financiare. Në muajin shkurt bëhen plot tre vjet nga moszbatimi i ligjit që vetë qeveria ka miratuar për këtë kategori punonjësish. Përveç kundërshtimit të hapur që ish-ushtarakët do t’i bëjnë draftit të ri për pensionet e tyre, ata shprehen edhe më ashpër për unifikimin e gradave midis Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj. Sipas tyre, puna e një ish-ushtaraku nuk mund të barazohet me punën e një polici.
Vendimi i Kushtetueses
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri më 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.
Çfarë parashikon drafti i ri i qeverisë
Llogaritja e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezervë do të bazohet në vjetërsinë në punë dhe derdhjen e kontributeve shoqërore. Kjo është një nga pikat e përcaktuara në draftin e ri për përllogaritjen e pensioneve të ish-ushtarakëve. Ndërsa masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese dhe nuk mund të jetë më e lartë se kjo shumë. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë. Gjithashtu, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shtuar me 2 për qind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.
Përfitimet e ish-ushtarakëve sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Heq diferencimin që bënte vendimi i qeverisë për trajtimin financiar të ushtarakëve sipas kohës së lirimit, në përfitimin e pensioneve të parakohshme, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, sipas kontributit të secilit.
Ushtarakët në rezervë, në bazë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtën e dypunësimit, një e drejtë që u ishte mohuar
Kur ushtarakët në rezervë mbushin moshën e pensionit të pleqërisë, nuk do t’u ulet masa e përfitimit financiar që përfitojnë
Ushtarakëve që kanë dalë në rezervë nga 01.10.1993 deri më 31.12.1998 do t’u njihet pensioni mbi bazën e pagës referuese (kontributet e paderdhura, do të derdhen nga shteti) e jo sipas vendimit të qeverisë që u jepte pensionin mbi pagën minimale.
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet financiare për ushtarakët nuk fillojnë më 16 prill 2006, por nga 1 janari i vitit 2006
Pesë propozimet e paraqitura në draftin e ri
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare.
Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin:
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", shtuar me 2 për ind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv
Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.
13 Janar 2009