E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kërcënojmë askënd me gjuhën shqipe

Ministrat e qeverisë dhe kryetari i shtetit, kështu si qëndrojnë tani punët, asnjëherë nuk do të mund të komunikojnë me ata qytetarë, të cilët nuk e kuptojnë dhe nuk e flasin siç duhet, gjuhën maqedonase. Dhe këta janë 80 për qind të popullsisë shqiptare në Maqedoni, vë në dukje kryetari i partisë shqiptare "Demokracia e Re", Imer Selmani. Ky i fundit dhe partia e tij kanë dalë në skenën politike e shoqërore të vendit me kërkesën që gjuha shqipe të përdoret si gjuhë e dytë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. Në një intervistë, që i dha këto ditë gazetës së përditshme në gjuhën maqedonase, "Dnevnik", z. Selmani hodhi poshtë pretendimet se ai pengon procesin euro-integrues të vendit, duke theksuar se ai beson që, me gjithë qëndrimet e kundërta, blloqet politike shqiptare dhe maqedonase do të arrijnë ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët për këtë çështje të nxehtë, për të cilën, prej tetë vjetësh, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, nuk po arrijnë dot marrëveshje. Për herë të parë, Selmani shprehet qartë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në qeverinë e kryesuar nga Kryeministri Nikolla Gruevski dhe se në zgjedhjet parlamentare të ardhshme partia e tij do të presë shansin e vet për në pushtet.

Keni kontribuar për bllokimin e strategjisë për emrin, kurse tani po pengoni Ligjin për Parlamentin. Mos vallë kjo do të thotë se "Demokracia e Re" po radikalizohet dhe se po lini mënjanë konceptin qytetar?

As këmbëngulja që, në strategjinë për emrin të theksohet karakteri multietnik i shtetit, dhe as amendamentet që kemi kërkuar në Ligjin për Parlamentin nuk përbëjnë radikalizim të qëndrimeve të partisë sonë dhe nuk synojnë të pengojnë proceset euro-integruese. Që nga themelimi i partisë sonë, përpjekjet që kemi ndërmarrë në Parlament kanë qenë vetëm në favor të vizionit tonë se, Maqedonia mund dhe duhet të jetë një vend e hapësirë jetese për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë etnike të saj. Ajo që kemi ofruar, përmes amendamenteve, nuk është gjë tjetër veçse këmbëngulja jonë që të respektohet Kushtetuta.

Ata që konsiderojnë se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe edhe në Parlament është më se radikale, për fat të keq, do të duhet t‘i shkurajojë. Nuk kërkojmë gjë tjetër, veçse respektimin dhe zbatimin e nenit 5 të Kushtetutës, që thotë se gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase, por në paragrafin pasardhës, po ashtu qartë, thuhet se edhe gjuha tjetër, të cilën e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve të vendit, është gjithashtu gjuhë zyrtare. Në paragrafin e mëposhtëm shkruhet se, në organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga ajo maqedonase mund të përdoret në përputhje me ligjin. Organ i pushtetit shtetëror është Parlamenti dhe tani, për herë të parë, do të kalojmë Ligjin për Parlamentin. Në qoftë se Kushtetuta thotë se gjuha zyrtare mund të përdoret në përputhje me ligjin, ne kërkojmë që kjo kategori kushtetuese të shndërrohet në ligj. Por, shtroj pyetjen se mos vallë VMRO-DPMNE dhe BDI-ja (Bashkimi Demokratik për Integrim), që janë propozuesit e ligjit në fjalë, duan të miratojnë me çdo çmim një ligj antikushtetues?

Sipas atyre që kanë hartuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe politikanëve maqedonas (sllavë), gjuha shqipe nuk mund të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e vendit, por vetëm në ato komuna, ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20 për qind të popullsisë së tyre. Si mund të përputhen këto pozita të kundërta?

Kjo ishte arsyeja që unë parashtrova fakte pragmatike në takimin e fundit të liderëve, ku duke u mbështetur te Kushtetuta, shpjegova se i gjithë komunikimi brenda vendit duhet të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Ministrat e qeverisë dhe kryetari i shtetit, kështu si qëndrojnë punët, asnjëherë nuk do të mund të komunikojnë me ata qytetarë që nuk e kuptojnë dhe nuk flasin ashtu si duhet gjuhën maqedonase. E këta janë 80 për qind e popullsisë shqiptare të Maqedonisë. Mendoni se çfarë handikapi përbën kjo, së pari, për qytetarët që nuk e kuptojnë se ç‘thotë Kryeministri i tyre, por handikap është edhe për vetë Kryeministrin dhe Presidentin e vendit, të cilët nuk arrijnë dot që qëndrimet e veta politike t‘ua thonë direkt qytetarëve të vet, por këta të fundit duhet të presin që këtë ta bëjnë organet e medias. Nëse rrugërrëfyeset janë në të dy gjuhët (maqedonisht dhe shqip) dhe ato nuk pengojnë asnjëri, atëherë përse do të përbënte pengesë që lajmërimet, mbishkrimet, të gjitha dokumentet dhe stenogramet në Parlamentin e Maqedonisë të jenë edhe në gjuhën shqipe? Ne duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin, duhet të komunikojmë dhe gjuha është një instrument bazë për këtë. Në këtë mënyrë, do të pakësoheshin barrierat ndëretnike. Ne jemi në favor të NATO-s dhe të BE-së, por nuk është vetëm detyrë e opozitës që t‘i përshtatet pushtetit, por edhe anasjelltas, sepse Kushtetuta është e të gjithëve.

Ju thoni se jeni në favor të NATO-s dhe të BE-së, por me kërkesat tuaja ju po vononi miratimin e një prej ligjeve kyçe të axhendës europiane. Përse nuk i keni kërkuar ndryshimet në Ligjin për Gjuhët dhe mos përbën shantazh kjo që i kërkoni ndryshimet në Ligjin për Parlamentin?

Nuk bëhet fjalë për asnjë shantazh. Parlamenti është një institucion demokratik, ku, që të miratohet një ligj, vendimtare janë votat. Në këtë rast, unë mund të them se është shumica ajo që shantazon opozitën. Në takimin e liderëve bëmë një progres të dukshëm. Ali Ahmeti pranoi absolutisht se përdorimi i gjuhës shqipe, ashtu sikurse është zgjidhur në Ligjin për Gjuhët para një viti, nuk është në përputhje me Kushtetutën. Nuk mund t‘i kuptoj ata që mbështesin teorinë se nuk duhet të respektohen Marrëveshja Kornizë dhe Kushtetuta. Ne përpiqemi në Parlament që t‘i artikulojmë kërkesat tona me të gjitha mjetet demokratike legjitime dhe jo me bojkot.

Cili do të jetë hapi juaj i mëtejshëm, nëse nuk pranohen amendamentet tuaja; do të mbështesni projektligjin e PDSH-së (Partia Demokratike Shqiptare), apo do të propozoni ndryshimet tuaja?

Do të ishim të lumtur, në qoftë se dialogu politik do të çojë në zgjidhje, pra që te vendimi përfundimtar të ndikojnë faktet dhe argumentet e jo inati apo paragjykimet. Secila parti mban barrën e saj për vendimet. Por fakti që "Demokracia e Re" dhe BDI-ja kanë qëndrime thuajse identike për këtë çështje dhe se LSDM-ja (Lidhja Social-Demokratike e Maqedonisë) ka paralajmëruar që do të mbështesë zgjidhjen, për të cilën ne do të merremi vesh me VMRO-DPNE-në, tregon se barra më e rëndë bie mbi partinë e Nikolla Gruevskit që ta respektojë ose jo Kushtetutën. Nuk dua të paragjykoj nëse do të mbështesim projektligjin e PDSH-së, pasi ende nuk e kemi parë. Por, në qoftë se nuk pranohen amendamentet tona, atëherë shumica duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë për mosrespektimin e Kushtetutës dhe për politikat e ardhshme që do të ndjekë. Rruga tashmë është hapur dhe ajo është zbatimi i Marrëveshjes Kornizë. Nëse largohemi nga kjo përgjegjësi, atëherë u lëmë hapësirë atyre politikanëve që mendojnë se Marrëveshja Kornizë nuk ka perspektivë. Kam mendimin se Marrëveshja e Ohrit është një zgjidhje e shkëlqyer.

A do të votojë BDI-ja në favor të amendamenteve tuaja dhe a i keni sinkronizuar veprimet me Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin për gjuhën shqipe?

Nuk dua të komentoj insinuatat për sinkronizim të veprimeve me Ahmetin dhe Thaçin. Mua më gëzon fakti që deputeti i BDI-së, Tahir Hani, tha publikisht se edhe ata janë për rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Ligjin për Parlamentin. Nuk e di si do të votojnë ata për amendamentet. Por do ta përshëndesja një hap të tillë, sepse në një frymë konstruktive u zhvillua edhe takimi i liderëve. Fakti se të gjithë liderët pranuan formimin e një grupi pune përkatës është provë se Ligji për Gjuhët nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gruevski e tha qartë se nuk është kundër asaj që gjuha shqipe të përdoret në Parlament, ashtu sikurse e parashikon Kushtetuta.

Si i keni marrëdhëniet me Gruevskin dhe a do të bëheni pjesë e qeverisë së tij?

Kam marrëdhënie konstruktive me Gruevskin, Ahmetin dhe Cërvenkovskin, me të cilin u takova për herë të parë në takimin e liderëve. Mendoj se është përgjegjësia e të gjithëve që të jemi konstruktivë dhe prandaj kërkojmë që, përmes fakteve dhe argumenteve, të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. E kam theksuar disa herë se "Demokracia e Re" nuk është e interesuar që të jetë pjesë përbërëse e kësaj qeverie, në këtë përbërje. Më shumë neve na përgjigjet të jemi një opozitë e fortë që e ve theksin te të gjitha defektet, por edhe që propozon zgjidhje. Qeveria nuk ka nevojë për një shumicë suplementare. Kam biseduar me Ahmetin dhe Gruevskin dhe pozita jonë është e qartë. "Demokracia e Re" do të funksionojë në opozitë, kurse në zgjedhjet parlamentare të ardhshme do të kërkojmë mbështetjen e qytetarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›