E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensione mes Bullgarisë e Maqedonisë

Në Maqedoni, arrestimi i një qytetareje me shtetësi të dyfishtë -maqedonase dhe bullgare ka bërë që tensionohen marrëdhëniet diplomatike me Bullgarinë fqinje. Versioni zyrtar maqedonas është se 23-vjeçarja Spaska Mitrova është dërguar të vuajë dënimin me burgim prej tre muajsh, për shkak se nuk ka lejuar ish-burrin e saj që të vizitojë vajzën e tyre dy vjeçe.

Mirëpo, pretendimet nga Sofja janë krejtësisht të tjera dhe politike: thuhet se ajo është dënuar për shkak se është deklaruar bullgare, se ka pasaportë bullgare dhe përmendet ndër riaktivizuesit e një shoqate bullgare në Maqedoni.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, duke kërkuar lirimin e Mitrovës ka lënë të kuptohet se nëse kjo nuk ndodhë, Sofja do të bllokojë integrimin europian të Maqedonisë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar për median maqedonase se autoritetet në Shkup ushtrojnë presion administrativ, policor e tjetër mbi qytetarët bullgarë dhe ata maqedonas me ndjenja bullgare pikërisht për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare.

Si reagim ndaj kësaj, të mërkurën Ministria e Jashtme e Maqedonisë bëri të ditur se ka refuzuar notën bullgare të protestës me vërejtjen se, sikundër thuhet, dy shtetet nuk duhet të lejojnë shpërdorimin e shtetësive dhe të pasaportave si alibi për njerëzit që kanë probleme të divorcit apo të fshehjes së tatimit, si rasti i ish-ministrit të Shëndetësisë, dhe se autoritetet bullgare do të distancohen nga ajo që autoritetet maqedonase e quajnë manipulim klasik me fatet e njerëzve.

Rrjedhimisht, Shkupi dhe Sofja zyrtare kanë vlerësime pozitive për marrëdhëniet ndërshtetërore, megjithëse nga pala bullgare ekzistojnë rezerva serioze ndaj njohjes së maqedonishtes si gjuhë më vete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›