Pas Bibës, jep dorëheqjen edhe Albana Shtylla, KQZ në kolaps
Denar Biba, nënkryetari i KQZ-së, i cili i përket Partisë Socialiste ka dhënë mbrëmë dorëheqjen e parevokueshme. Ai e ka marrë këtë vendim pas votimit të djeshëm në parlament për heqjen e anëtarit të LSI-së. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, shkruan ndër të tjera, Biba në letrën e tij të dorëheqjes. Sipas Bibës, populli shqiptar meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj sipas tij, askush nuk mund të tallet duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve. Shkarkimin e djeshëm nga Parlamenti të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, Biba e cilëson një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Ndërkohë sot dorëheqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka dhënë edhe Albana Shtylla, anëtarja tjetër e propozuar nga Partia Socialiste për këtë post. Shkaqet e dorëheqjes së saj janë të njëjta me ato të Bibës. Dorëheqja e saj është depozituar paradite në KQZ. Akti i Kuvendit me shkarkimin e Muhos ka cenuar rëndë pavarësinë e çdo anëtari të KQZ, tha Shtylla. Në këtë mënyrë Partia Socialiste ka mbetur pa përfaqësues në KQZ.