SONDAZHI/ PS e PD humbasin 30 % të elektoratit
Ja sa është distancuar elektorati i 3 partive më të mëdha që nga zgjedhjet e 2009-ës
Shqiptarët janë mjaft të pakënaqur me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet vendi ynë, përfshirë jo vetëm anën politike, por edhe atë ekonomike të vendit. Gjatë një sondazhi të ndërmarrë nga një rrjet organizatash evropiane, shqiptarët kanë shprehur shumë pak besim te partitë politike dhe te qeveria. Ndërkohë sondazhi në fjalë nxjerr në pah edhe distancimin e elektoratit për secilën parti, ku vihet re që në krahasim me zgjedhjet e 2009-ës dy partitë e mëdha, përfshirë dhe LSI-në kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të elektoratit.
Bindjet politike
Të pyetur për përkatësinë e tyre ideologjike majtas apo djathtas në një shkallë nga 0 deri në 10, ku 0 nënkupton të majtën ekstreme dhe 10 të djathtën ekstreme, në shkallë kombëtare shqiptarët janë të qendrës, me tendencë djathtas, në nivelin 5.3. Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, rreth 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë ti përgjigjen kësaj pyetje. Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU dhe po kaq me LSI, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektorateve potenciale sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste. Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas nuk ndihen afër me asnjë parti. Ndërkohë, nga qytetarët që identifikohen me Qendrën, pjesa dërrmuese, 73.3% nuk ndjehen afër me asnjë parti. Në nivele të ngjashme të ulëta janë qytetarët e Qendrës që ndihen më afër me PD dhe PS rreth 7% me secilën.
Distancimi i elektoratit
Një pamje e kryqëzuar e gjetjeve paraprake mbi partinë e votuar në vitin 2009, dhe partinë që ndjejnë më afër sot, sugjeron se Partia Socialiste ruan dy te tretat e elektoratit të 2009-ës dhe gjen të alienuar (jo afër me asnjë parti) 30.6% të atyre që e votuan në 2009-ën. Ndërsa Partia Demokratike ruan 54.5% të zgjedhësve të saj në 2009-ën, dhe gjen të alienuar 36.7% të këtyre zgjedhësve në 2009-ën. Partia që ka pësuar distancimin më të lartë nga elektorati i vitit 2009 është Lëvizja Socialiste për Integrim, me 60% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që sot nuk ndihen afër me asnjë parti. Partitë që i ruajnë më bindshëm elektoratet e tyre të 2009-ës janë PBDNJ, me 80% që ende sot ndihen afër me këtë parti, dhe PDIU me 75% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që ndjehen më afër me të sot. Nga ata që nuk kanë votuar në 2009-ën dhe që janë potencialisht zgjedhës të rinj sivjet, 9.6% shprehen afër me PS, 16.4% me PD.
Sondazhi
Gjetjet paraprake të Sondazhit Social Evropian të kryer për herë të parë në Shqipëri japin pamjen e një shoqërie shqiptare mjaft mosbesuese ndaj institucioneve vendase, mjaft të pakënaqur me gjendjen e demokracisë, ekonomisë dhe performancën e qeverisë, të papërfaqësuar nga alternativat politike aktuale, me gjysmën e demokracisë që dëshirojnë, dhe kërkues për barazi para ligjit, për masa që luftojnë varfërinë, për një media që ofron informacion të besueshëm mbi punën e qeverisë, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
30.6 %
të elektoratit parashikohet të humb Partia Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit, krahasuar me vitin 2009
36.6%
të elektoratit të Partisë Demokratike mendohet të distancohet në zgjedhjet e qershorit, krahasuar sërish me 2009-ën
60 %
të elektoratit, (më tepër se PD dhe PS) mendohet të humb Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 23 qershorit
80 %
e elektoratit të PBDNJ-së është shprehur gjatë sondazhit se edhe në këto zgjedhje ndihen afër kësaj partie. Po ashtu edhe PDIU mendohet të ruajë 75 % të elektoratit të 2009-ës.
9.6 %
e atyre që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje (23 qershor 2013) janë shprehur se do të votojnë për PS-në, ndërsa 16.4% për PD-në.
Punësimi: 48 % e shqiptarëve pa kontrata pune
Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë, rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë, dhe rreth 48% shprehen që janë duke punuar pa kontratë. Të pyetur për besimin fetar dhe praktikimin e tij, gjetjet paraprake sugjerojnë një shoqëri që e sheh veten si besimtare në masën 7.8 në një shkallë nga 0 në 10, ku 0 nënkupton jo besimtar dhe 10 tejet besimtar. Nga ana tjetër shumë pak prej tyre duket se e kanë të lidhur besimin e tyre me institucionet dhe ritet fetare të rregullta, me vetëm 12% të qytetarëve që pohojnë se ndjekin shërbesa fetare të paktën një herë në javë. Të krahasuara me gjetjet përfundimtare të të njëjtit sondazh në 27 vende të tjera në vitet 2010-2011, gjetjet paraprake për Shqipërinë sugjerojnë se shoqëria shqiptare është më homofobe se 27 të tjerat. Të pyetur nëse mendojnë se komuniteti gay dhe lezbik duhet të jenë të lirë të jetojnë si të dëshirojnë, 53% thonë jo, përqindje më e lartë edhe se disa vende fqinje si Kroacia dhe Greqia.
Sondazhi Social Evropian
Tashmë në raundin e tij të gjashtë, Hulumtimi Social Evropian kryhet sot në mbi 30 vende të Evropës dhe më tej, për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre. Sondazhi i kryer së fundmi në Shqipëri është ndërmarrë nga: European Social Survey; Global Opportunities Albania; Fondacioni Hanns Seidel Stiftung; Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Realizimi i Sondazhit Social Evropian koordinohet nga zyrat qëndrore në City University, London. Gjatë muajit dhjetor 2012 shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1.208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave kompjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor.
Korrupsioni, gratë besojnë te policia, por jo te politika
Në sondazhin e publikuar dje krahas të dhënave të tjera rezulton se gratë dhe burrat shqiptarë nuk kanë të njëjtin nivel besimi te institucionet qeverisëse. Kështu gratë kanë një nivel më të lartë besimi te funksionimi i policisë dhe sistemit ligjor në tërësi, ndërsa kanë fare pak besim te partitë politike dhe te politikanët si individë. E kundërta e grave janë burrat. Ekspertë të cilët kanë kryer studimin thonë se kjo ka ndodhur edhe për faktin se femrat kanë më pak kontakt të drejtpërdrejt me këto institucione ndërsa meshkujt më shpesh se gratë, duke u bërë edhe viktima të mitmarrjeve. Gjatë prezantimit të raportit ku merrnin pjesë gra të cilat janë aktive në jetën politike dhe sociale të vendit u diskutua dhe mbi atë se çfarë mund të bëjë shteti dhe shoqëria për të luftuar korrupsionin, dhe se si mund të ndërtohet një sistem denoncimi rastesh korruptive njëkohësisht duke ofruar mbrojtjen e individit.