Pas New Yorkut Hyseni paralajmëron njohje të reja

Prishtinë, 5 gusht - Me të kthyer nga New Yorku, Ministri i Punëve të Jashtme Skender Hyseni paralajmëron njohje të reja për Kosovën. Këtë do ta bëjnë sidomos vendet e Ligës Arabe, menjëherë pas muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjatë një konference për shtyp në Aeroportin e Prishtinës, Hyseni foli rreth vizitës së tij në New York dhe takimeve të shumta që ka zhvilluar me përfaqësues të vendeve anëtare të KB ve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe me përfaqësues të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, vende mike të Kosovës. Gjatë takimeve që ka pasur me përfaqësues të vendeve anëtare të KB ve që hezitojnë të njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë, Hyseni tha se ka kërkuar njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, shumë shpejt priten njohje të reja, duke mos dhënë detaje se për cilat vende është fjala. Gjithashtu Hyseni theksoi se kishte kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 me një rezolutë të re, e cila do të ishte në pajtim me realitetin e ri të krijuar në vend pas shpalljes së pavarësisë.