Pas PD-së edhe LSI tubim masiv në Tiranë

LSI-ja paralajmëron takime intensive në bazë për të konkluduar me një tubim masiv në Tiranë
TIRANË- Mazhoranca qeverisëse duket se është angazhuar tërësisht për t'iu kundërpërgjigjur rikthimit të protestave të opozitës më 30 prill.
Pas qëndrimit të Partisë Demokratike se do të kryejë një anti-miting më 1 maj edhe partia e dytë në pushtet Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar dje se do të kryejë një tubim masiv më 26 prill, katër ditë para protestës së opozitës.
Ky tubim masiv që është iniciuar nga forumet e LSI-së realizohet në kuadrin e ndërgjegjësimit publik për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Këtë e konstatoi vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta nga qyteti i Beratit në një takim që zhvilloi me të rinjtë e këtij qarku.
Meta vuri në dukje se forca politike që ai drejton është e angazhuar për të mbyllur konfliktualitetin politik në vend me qëllim që të kthejë etikën në komunikimin politik dhe njëkohësisht të realizojë europianizimin e saj. "Ne ashtu sikurse kemi bërë deri tani do vazhdojmë të ofrojmë dhe tu qëndrojmë atyre vlerave të rëndësishme dhe tepër të domosdoshme për europianizmin e mëtejshëm të vendit, politikës dhe të shoqërisë shqiptare.
LSI është forcë e re politike me një angazhim të përhershëm për të mbyllur hendekun dhe konfliktualitetin politik për të sjellë një etikë të re në diskursin politik në vend, sepse është dhe një kontribut për modelin që politika ka për detyre ti paraqes rinisë",- tha dje Meta.
Kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht zëvendëskryeministri i vendit theksoi gjithashtu se Lëvizja Rinore për Integrim do të zhvillojë një tur takimesh në të gjithë vendin duke njohur të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë me proceset integruese të vendit. Ndërsa më 26 prill tubimi masiv do të kulmojë në Pallatin e Kongreseve.