Agim Shehu shpërblehet me 140 mln lekë

Gjykata e Tiranës vendosi t'i jepen pagat dhe detyrimet e tjera taksore dhe sigurimet,ish- kreut të Policisë nga viti 1997- '08
Vendimi ishte marrë nga kreu i gjykatës së Tiranës në fund të muajit shkurt, por ai ende nuk është publikuar
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, tri vite pas rikthimit të gradës "Gjeneral" ish-zv/ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë viteve 1993-'97 Agim Shehu, i jep të drejtën edhe të përfitimit të pagës së munguar për 11 vitet e "azilit" të tij në Gjermani.
Aktualisht Shehu, kryen detyrën e drejtorit të investigimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku u emërua rreth një vit më parë.
Lajmi i përftimit të pagës, konfirmohet nga burime zyrtare edhe pse në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë rezulton se gjyqtari i çështjes Artan Zeneli, ka dhënë vendimin që më 26 shkurt.
Pavarësisht kohës së dhënies së vendimit, ai nuk është botuar si në të gjitha rastet e tjera. Sipas vendimit me nr.1423 të 26 shkurt 2010, gjyqtari Zeneli ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë, duke "detyruar" Ministrinë e Brendshme t'i paguajë atij shumën prej rreth 14 milionë lekë të reja.
Kjo shumë sipas vendimit, është nxjerrë mbi bazën e pagës së tij të vitit 1997, kur ai mbante gradën gjeneral, si dhe të gjitha fitimet e munguara duke llogaritur interesat bankare që pas datës 30 qershor 1997, kur është larguar nga puna e deri në mesin e vitit 2008, kur ka nisur punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Përveç kësaj shume, gjeneral Shehu me vendimin e Zeneli, ka përfituar edhe njohjen si kohë pune (shërbimi) si dhe pagesat e sigurimeve shëndetësore e detyrimeve të tjera tatimore të kësaj periudhe. Ndërkohë, me kërkesë të vetë paditësit Shehu, ai hoqi dorë në momentet e fundit nga kërkesa e tij për detyrimin që Ministria e Brendshme t'i jepte gradën madhore "Drejtues i Parë" si dhe të gjitha detyrimet karshi kësaj grade.
Ndërkaq, gjeneral Shehut me vendim të po kësaj Gjykate të Shkallës së Parë, por me gjyqtaren e vetme Anila Kristani, pas disa seancave gjyqësore më datë 5 nëntor 2007 rifitoi sërish gradën e gjeneral-lejtnantit të hequr me dekret të Presidentit të Republikës, Rexhep Mejdani, në vitin 1998.
Ky vendim i Presidentit erdhi pasi ndaj gjeneral Shehut u ngrit akuza e "dezertimit të kuadrit komandues në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme" për të cilën u dënua më pas nga Gjykata e Apelit me 7 vite burg.
Ky vendim i Apelit më 4 dhjetor të vitit 2006 është prishur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili me shumicë votash vendosi të shfuqizojë vendimin e dënimit dhe të pushojë akuzat ndaj tij, duke i hapur kështu rrugën e kthimit të tij në Shqipëri pas 9 viteve në arrati. Vetëm tre ditë pas këtij vendimi, gjeneral Shehu u kthye në Shqipëri nga azili 9 vjeçar në Gjermani ku ishte strehuar pas ikjes nga Shqipëria më 30 qershor 1997.
Gjeneral Agim Shehu ishte një ndër figurat e akuzuara për ngjarjet e 1997 dhe një ndër personat më të lakuar në arenën politike si dhunues i të drejtave të njeriut dhe për mjaft akuza të ngjashme. Por, ashtu si për shumë persona të tjerë, asnjë nga këto akuza nuk u vërtetua në gjykatë, ndërsa ato u përdorën vetëm në fjalime politike.
Ndërkohë, me kthimin e tij në Shqipëri, ai vazhdoi të qëndrojë i papunë deri në mes të gushtit 2008 kur me firmën e Arben Sefgjinit (i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha) si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve u emërua me detyrën e drejtorit të Investigimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku edhe vazhdon të punojë.