E Shtunë, 31 Tetor 2026

Omer Stringa: Qeveria pa faturë financiare

Kritikat

Zgjidhja e çështjes së pronave konsiderohet nga Stringa si sfida kryesore e Berishës dhe qeverisë së tij, pasi aty është e varur ekonomia shqiptare. Stringa kërkoi kryerjen e një regjistrimi kombëtar të të gjitha pronave. Programi i qeverisë "Berisha" për katër vitet e ardhshme duket ambicioz, por suksesi i tij vihet në dyshim pasi i mungon fatura financiare. Ky është vlerësimi që jep anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ekonomisti Omer Stringa. Ai vëren se me gjithë këtë mangësi, drafti aktual e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronësisë do të ishte suksesi i qeverisë "Berisha", pasi aty është e varur tërësisht ekonomia shqiptare, veçanërisht thithja e investimeve të huaja.

Programi i qeverisë

Në programin e qeverisë për vitin 2009-2013 është përcaktuar përsosja e sistemit dhe administrimi zgjedhor.

Një vend të veçantë zë reforma në drejtësi, si rendi dhe siguria publike e individuale. "Parandalimi dhe zbulimi i krimeve; fuqizimi i mëtejshëm i strukturave të rendit dhe sigurisë publike; vazhdimi i reformave në sistemin e drejtësisë si garanci për gëzimin e të drejtave dhe forcën e shtetit ligjor;

garantimi dhe zhvillimi i të drejtave themelore të individit; prona; liria e Informimit; harmonia fetare; të drejtat e minoriteteve; Shqipëria, partnere e rendit, sigurisë publike dhe drejtësisë europiane", janë pjesë përbërëse e programit të qeverisë "Berisha". Vazhdimi i reformave në administratën qendrore, synimi i një administrate të vogël dhe eficente është objektivi i qeverisë "Berisha" në katër vitet e ardhshme të mandatit të tij të dytë.

Lidhur me ekonominë, Kryeministri ka garantuar për një treg të hapur dhe funksional në standardet europiane. "Konsolidimi i modelit të taksës së sheshtë; vazhdimi i reformës fiskale; krijimi i lehtësirave dhe nxitësve të tjerë fiskalë;

administrimi efecient, transparent, i thjeshtë dhe i ndershëm i sistemit tatimor në shërbim të biznesit", ishin pjesë nga fjalimi i Kryeministrit Berisha gjatë leximit të programit në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë që investimet kanë një zë të veçantë në programin e qeverisë, çështja e pronave ngelet pothuajse e paprekur si fenomen. Vazhdimi i investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës, kombëtar, rajonal e vendor të transporteve pritet ta shndërrojë Shqipërinë në fuqi energjetike në Ballkan. Kryeministri ka lançuar nismën për investime publike dhe partneritetin publik privat në sistemin energjetik.

E.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›