E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, i merituar

Vetëm pas një jave, mbahet në Bukuresht të Rumanisë, samiti i zgjerimit të NATO-s, ku tre vendet e Ballkanit të Kartës “A3”, presin të ftohen në të dhe të bëhen pjesë e strukturës veri-atlantike. Zhvillimet politike në vend janë përqendruar në fillimin e pritshëm të sesionit të radhës të zgjerimit të Aleancës dhe mbi perspektivën optimiste që Shqipëria ka prezantuar për vite me radhë, na bëjnë tani në prag të këtij zhvillimi historik për vendin tonë, se rruga është e pandalshme, anëtarësimi në NATO është i vetmi objektiv mbështetës referues për të gjitha forcat politike në vend. Në këtë drejtim, Kryeministri Sali Berisha, duke vlerësuar dje ndihmën e NATO-s në proceset integruese të Shqipërisë, deklaroi se java që vjen është një javë historike për Aleancën e Atlantikut të Veriut, por më tepër është historike për Shqipërinë. Kreu i qeverisë theksoi se “është historike për NATO-n sepse ajo shtrin hapësirat e saj në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të demokracisë”. “Është historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse shpresojnë të marrin ftesën, sepse ata shohin në këtë projekt realizimin e ëndërrave të tyre”, tha Kryeministri, duke shtuar se qeveria është e vendosur për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë për konsolidimin e mëtejshëm të reformave në vend. Duke marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së Shtabit të NATO-s, në Tiranë, Berisha bëri të ditur se “në çdo gjë që Shqipëria ka bërë për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, ka patur ndihmën më të madhe të NATO-s, komandës së saj në Tiranë, Komandës së Bashkuar të Napolit, me të cilën Forcat Tona të Armatosura kanë një bashkëpunim të shkëlqyer”. Në këtë drejtim, Kryeministri i shprehu mirënjohjen dhe falenderimet e tij, Gjeneralit Anastasio Rintis, ekipit dhe Komandës së NATO-s për ndihmën dhe kontributin e çmuar, që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtij viti përcaktues në përpjekjet e Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit. “Gjatë këtij viti ju keni dhënë një kontribut madhor në të gjithë përpjekjet e Forcave tona të Armatosura, që në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësimin në NATO, ne ndërmorëm reformat për të arritur standardet e ushtrive të vendeve të Aleancës”, tha Kryeministri Berisha. Më tej, ai theksoi, se “anëtarësimi në NATO është projekti të cilin shqiptarët e mbështesin më shumë se çdo komb tjetër. Një nga shkaqet, e kësaj mbështetje është se kombi shqiptar ka vuajtur më shumë për të ardhmen”. “Një nga arsyet që shqiptarët e duan kaq shumë NATO-n, është se tek anëtarësimi në Aleancë, ata shohin sigurinë më të madhe të së ardhmes së tyre, lirisë dhe demokracisë që ata po ndërtojnë”, tha ai. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e madh për Forcat e Armatosura shqiptare, si dhe i siguroi ata se shqiptarët u janë shumë mirënjohës për kontributtin e madh që ata kanë dhënë në procesin e integrimit në NATO dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Shqipëri dhe rajon. Kryeministri vlerësoi, se “Forcat e Armatosura shqiptare janë të shpalosura bashkë me ushtritë e NATO-s në zonat më të rrezikshme të planetit, në mbrojtje të idealeve dhe parimeve më të larta që NATO mbron”. “Forcat tona të Armatosura janë në Kabul, Herat dhe në Mosul dhe do të jenë kudo që të ndodhet NATO-ja”, tha me tej Kryeministri.
Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi mbështetjen e gjerë shoqërore prej gati 94% dhe atë të partive politike për hyrjen e Shqipërisë në NATO duke nënvizuar se kjo mbështetje, së bashku me gatishmërinë e përgatitjen profesionale dhe të guximshme të forcave tona paqeruajtëse në Irak, Afganistan e Bosnjë-Hercegovinë na bën të ndihemi të sigurt në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit duke përmbushur kështu aspiratën e popullit shqiptar për t’u integruar në strukturat euro-atlantike. Pra, me rastin e ndërrimit të komandës së NATO-s në Shqipëri, kreu i shtetit priti dje në një takim zv/komandatin e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Gjeneralin Leitenant Pirson, Gjeneralin Brigadier, Dimitrov, i cili merr këtë detyrë, si edhe Gjeneralin Brigadier, Anastasios Rintis, i cili përfundoi mandatin njëvjeçar. “Shqipëria, e cila ka vepruar prej kohësh si anëtare ‘de facto’ e Aleancës së Atlantikut Verior, e meriton plotësisht nga ana ushtarake ftesën për anëtarësim nga Samiti i Bukureshtit”, u shpreh Gjeneral Leitenant Pirson, ndërsa vuri në dukje, “përshtypjet më të mira për ndryshimet e arritjet pozitive të FA-së shqiptare, në reformimin e plotë të tyre”. Kreu i shtetit dhe njëkohësisht, Komandant i Përgjithshëm i FA-së, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Shqipërinë, bëri një përshkrim të reformimit thelbësor të strukturave tona ushtarake, si dhe reformat e ndërmarra në vend me konsensus të gjerë politik si ajo në gjyqësor, reforma zgjedhore, etj.
Edhe selia e PS-së, angazhohet “a posteriori” për aleancën e Atlantikut të Veriut/Ndërsa, në këto momente edhe klasa politike ndan të njëjtin qëndrim përsa i takon anëtarësimit në NATO. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shprehu dje mirënjohjen për mbështetjen që po japin ambasadorët e vendeve të NATO-s në Shqipëri, për marrjen e ftesës së anëtarësimit të vendit tonë. Gjatë organizimit të një tryeze të përbashkët nga PS-ja, me ambasadorët e vendeve të NATO-s në Shqipëri, Rama shtoi se “sot, në vigjiljen e një dite historike për Shqipërinë, kur vendi ynë do të ftohet të jetë ‘de facto’ e ‘de jure’ pjesë e kësaj familjeje natyrale, mes popujsh të organizuar në një aleancë që mbron demokracinë, lirinë individuale e barazinë para ligjit, është çasti për t’u kujtuar se Shqipëria është e gatshme të promovojë e mbrojë globalisht, të gjitha ato që janë kërkuar për t’u rreshtuar në Aleancën e madhe Euro-Atlantike”. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre diplomatik në vendin tonë, John L. Withers, kanë shprehur se pozicioni i SHBA-ve për të mbështetur Shqipërinë anëtare të NATO-s, se ka qenë një qëndrim afatgjatë dhe se pritet të konkludohet në ditët që kanë mbetur. Sipas ambasadorit Withers, qeveria e SHBA-së e sheh ftesën për në NATO, si një arritje të udhëheqjes politike dhe popullit shqiptar në Shqipëri. Ai deklaroi se “me afrimin e punimeve të samitit të Bukureshtit të zgjerimit të NATO-s, shpresat që Shqipëria të marrë ftesën e anëtarësimit po bëhen gjithnjë e më evidente dhe kjo do të shërbejë si një rezultat i progresit të vazhdueshëm dhe të suksesshëm të qeverisjes aktuale politike dhe udhëheqjes si të tërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›