Çelsi në kor: E eliminojmë Barçën
Goli në limitet e fundit të kohës së rregullt në vitin 2009, i shënuar nga Iniesta, vazhdon të mbetet njolla e zezë te blutë e Londrës, të cilët duan të marrin hak dhe të triumfojnë mes 80 mijë spektatorëve në stadiumin legjendar “Stamford Bridge”. Edhe pse me një moshë mesatare më të lartë se kampionët në fuqi, senatorët e Çelsit, si Eshli Kol, Lampard, por edhe 60-milionëshi Fernando Torres, premtojnë revanshin ndaj katalanasve. “E dimë shumë mirë se ç’duhet të bëjmë për të ndalur Barcelonën. Jemi tepër të motivuar dhe kemi besim që do hedhim hapin e duhur. Në krahasim me ta, kemi pasur një rrjedhë më të mirë loje. Kemi qenë konstant dhe kështu do të vazhdojmë deri në fund. Jemi një ekip i fortë dhe nuk do ndalemi. Duhet të jemi të përqendruar jo vetëm për 90, por për 94 apo 95 minuta. Barça nuk është vetëm Mesi. Pas 180 minutave, uroj që finalja të jetë Çelsi-Real Madrid”, nënvizoi Kol. “Barcelona nuk është ajo e viteve të fundit. Na duhet vetëm një fitore në shtëpi, pasi në transfertë gjithçka është e mundshme. Kam besim të plotë te skuadra dhe shokët e mi. Motivimi është tepër i lartë dhe presioni ndaj Barçës do të jetë më i madh se kurrë. Për mua, katalanasit janë favoritë, por në start shanset janë 50 me 50. Nëse dalim në lojën tonë, ashtu si ndaj Totenhemit, nuk ka ekip të na ndalë”, tha Lampard. Çelsi ka të gjitha elementet të nxjerrë siç duhet dy superndeshje. Një armë e fortë ka për të qenë edhe sulmuesin Fernando Torres, i cili njihet si “vrasësi” i Barcelonës, në kohën kur luante me Atletiko Madridin, pasi katalansve u ka shënuar në debutim dhe i ka ndëshkuar 7 herë. “Kam një parandjenjë pozitive para kësaj sfide. Ka për të qenë një sfidë emocionuese, por jam i bindur që do të shënoj kundër Barcelonës, ashtu si në kohët e mia në Spanjë”, ka pohuar “El Ninjo”.
Pep: Ndaj Çelsit, e vështirë
Trajneri i Barcelonës, Guardiola, ka pohuar dje se skuadra e tij do ta ketë mjaft të vështirë që të fitojë ndaj bluve të Londrës. Sipas tij, tekniku Di Mateo ka një organikë mjaft të mirë, të ndërthurur nga lojtarët me eksperiencë deri te talentet e reja. “Do jetë shumë e vështirë për të mundur këtë skuadër. Çelsi ka një grup të mirë futbollistësh, si ata që kanë shumë kohë që luajnë me këtë skuadër, edhe të rinjtë të ardhur rishtazi, ndaj gjykoj se do duhet Barcelona më e mirë”, tha Pep.“Fëmijët e mi çmenden pas Mesit”
Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, ndihet optimist para sfidës kundër Barcelonës. Ai këshillon kolegët të luajnë në grup. I vetmi shqetësim për të mbetet lojtari më i mirë i botës, Lionel Mesi, të cilin e cilëson si “magjistar”. Lioneli është një magjistar dhe lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Të gjithë e duan atë, madje edhe fëmijët e mi çmenden pas tij”, tha dje kapiteni i bluve, i cili nënvizoi se blutë janë të karikuar për të marrë rezultat.