E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e dherave, dëmtohen 15 shtëpi në Librazhd

Fenomeni Familjet e kalojnë natën jashtë nga frika e shembjes së banesave

Një lagje e tërë rrezikon të shembet në rrethin e Librazhdit. Dukuria e rrëshqitjes së tokës është përsëritur mbrëmjen e së shtunës, në lagjen Brazhda të fshatit Dorës, Komuna Qendër, rreth 20 km larg qytetit të Librazhdit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, 2 shtëpi të ndërtuara para katër vjetësh janë shembur plotësisht. Ndërkohë që pesë janë bërë të pabanueshme, në tetë shtëpi të tjera ka pasur dëmtime të lehta. Shirat e fundit kanë bërë që sipërfaqja e tokës ku është vendosur kjo lagje të rrëshqasë pjesë-pjesë dhe banorët e kësaj lagjeje e kanë kaluar natën jashtë nga frika e shembjes së shtëpive. Mëngjesin e djeshëm, deputetët e këtij rrethi, Rrahim çota dhe Taulant Balla, kanë inspektuar zonën. Të shoqëruar edhe nga specialistë të prefekturës, kanë evidentuar banesat e shembura dhe të tjerat që janë në rrezik. Fatmirësisht nuk ka pasur lëndime në njerëz, por dimri i ftohtë në këtë zonë ka krijuar problem për strehimin, qoftë dhe të përkohshëm të banorëve të pastrehë e të tjerë që nuk guxojnë të rikthehen në banesa të prekura nga rrëshqitjet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›