E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ethem Tota: Si komunistët, do plaçkiste Bankën për të paguar kryengritësit

01/06/2005  Lëvizja e Delvinës

Ethem Tota, porosi nga Rusia për vendosjen e komunizmit

Cili ishte roli i shteteve të huaja në kryengritjen e Delvinës? Italia, Greqia, dhe Jugosllavia- cili ishte pozicioni i tyre në turbullirat e politikës shqiptare në regjimin e Zogut? Pse autoritetet e Beogradit nuk kishin rol dominant në Lëvizjen e Delvinës?

Çfarë përmbante shkresa rezervat që qeveria jugosllave i dergon mbretërisë së Zogut? Dyshimi bolshevik për Lëvizjen e Delvinës?

Cila ishte atmosfera e periudhës 1930 deri më 1939 në Shqipëri? Në këtë hark kohor u shënuan tre kulminacione që tentuan të trondisnin pushtetin e mbretit. A ndikuan këto në ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri?

Studiuesi Veli Haklaj pasi ka mbeldhur një material të pasur arkivor, duke u mbështetur mbi fakte të dokumentuara zbardh të plotë ngjarjen më të bujshme në kohën e qeverisjes së Zogut. E njohur si Lëvizja e Delvinës, Haklaj përmes protagonistëve, pranë oborrit të mbretit zbulon intrigat politike, armiqësitë dhe projektet e fshehta, të panjohura më parë nën qeverisjen e Zogut.

Autoritetet e Beogradit duken më të tërhequr në veprimet e tyre në përkrahje të Lëvizjes së Delvinës, siç duket nga pamundësia për të patur rol dominant në këto zhvillime, por, ndoshta, dhe e ndikuar nga pakti i miqësisë italo-jugosllave më 25 mars 1937.

Në shkresën Nr. 55 Rezervat, të datës 19 maj 1937, që Kryekonsulluta Mbretnore

i dërgon drejtëpërdrejtë Mbretit Zog, jepet pak a shumë dhe qëndrimi i qeverisë

jugosllave. Ja përmbajtja e kësaj shkrese:

“Nalt Madhni,

Kam nderin me përulësinë më të madhe me i parashtrue Nalt Madhnisë s’Uaj se nga

disa informata që munda më pas konfidencialisht nga komisari i kuesturës së

Barit që asht i ngarkuem qysh 10 vjet më sorveljimin e t’arrastisunvet politik

që ndodhen këtu më tha se Bedri Pejani, që konsiderohet prej autoriteteve

italjane si komunist dhe ndiqet prej tyre me një vërejtje të veçantë, paska

ardhur nga Shqipëria ne muajin prill te v.v. (vitit në vazhdim-shënimi im) në

Brindisi, pa mos u pjekur me ndonji nga t’arratisurit politik të këtushëm dhe

eksaktësisht më 29 prill ka kalue kufirin e Italisë i drejtuar për në Paris.

Gjith nga ky burim Muharrem Bajraktari, që ndodhesh në Beograd, ka më shumë se

dy javë ka ikur prej andej dhe ka shkuar në Vjenë, por nuk dihet nëse largimi i

tij nga Jugosllavija, ka të bëjë me udhëtimin e Bedriut me qëllim pjekje, ose

Qeveria Jugosllave, tue pasur dijeni mbi lëvizjen që do të bëhesh në Shqiperie,

largoji Muharremin për të mos qenë e akuzuar se mbante njerëz përgjegjës të

lëvizjes.

Simbas lajmeve që ka patur, komisari në fjalë më tha se Bedriu ësht një nga

eksponentët kryesor të përgatitjes së kësaj lëvizje, dhe Legata sovjetike në

Athinë s’qenka e huaj për përgatitjen e kësaj…

Kryekonsulli”

(F.152.V.1937, D. 37, fq. 132-133)

Karakteri Bolshevik i kryengritjes

së Delvinës dhe mbështetja në faktorin e brendshëm

Në propagandën e shpërndarë për konsum të brendshëm, por dhe të jashtëm,

qarqeve zyrtare të Tiranës u interesoi të paraqesin lëvizjen e Delvinës si

bolshevike, me ndikim të drejtepërdrejtë nga Moska. Siç duket në ato momente

Ahmet Zogut nuk i leverdiste një ballafaqim me qeverinë e Musolinit, ndërkohë

që punoi me shpejtësi, me masa energjike për shpartallimin e kryengritjes,

eleminimin, kapjen dhe nxjerrjen para gjyqit të të gjithë të implikuarve në këtë

lëvizje. Shpjtësia e kryerjes së këtyre veprimeve, me kapjen fillimisht te

Vlorës nga Fuqitë Ndjekëse Qeveritare, dhe mos lejimin e daljes në Himarë të

rebelëve te shpartalluar në Sevaster, i hoqi çdo mundësi italianëvë të bënin

ndonjë ndërhyrje ushtarake.

Dëshimtarët kyç në argumentimin e karakterit Bolshevik të kryengritjes së

Delvinës ishin të pandehurit Ali Nivica dhe Shefqet Gjoleka, si dhe dy

kapitenët, Ded Jakova dhe Luigj Berisha. Ja një pjesë e deponimeve të tyre ne

hetuesi:

Ali Nivica, me deponimet e bëra në hetuesi më datën 11.06.1937 deklaron:

“…Për herë të dytë që takova Ethemin në Delvinë m’u deftue tepër i pa kënaqur nga

situate politike e Shqipërisë dhe nga Regjimi. Më tha se kam tre vjet qi

elaboroj nji plan për rrezimin e Regjimit dhe vendosjen e Bolshevizmit. Tek e

para kujtova shaka, por masandej kuptova qi fjalët e tij qene serioze. Sa herë

qi jam takue me çfaqte se kishte idena te nalta dhe këto idena frymëzoheshin nga

parime komuniste dhe anarshiste.

Ditën e shtunë tha do shpallë kryengritjen dhe deri në Vlorë nuk do kem as

ndonji kundershtim as pengesë. Kurë fuqit e mija të arrinë në Vlorë atëherë do

pëllcasë kryengritja dhe në vise të tjera të Shqipnies.

Me Gjirokastër tha se do të çel të gjithë të burgosurit siç me të vërtetë i

qiti. Kushdo qi do më kundershtojë përparimin ose zbatimin e planit qi të gjithë

do i vras.

Në Vlonë do plaçkitej Banka Kombëtare si dhe gjithë tregëtarët e mbëdhej dhe të

hollat do t’ju ndajmë fuqivet bashibozuke te burgosunve dhe të gjithë atyne që

më binden…puna ashtë e mbarueme. S’ka asnji dyshim ose frikë se sa të venë

fuqitë në Vlonë kryengritja do shpallet në shumë vise…

Sa herë që shkojshe në shtëpi të Etemit e gjejshe tuj këndue nji libër dhe me

pyetjen time më tha se kjo asht suparaja qi më frymëzon idealet e reja dhe më

udhëheq në përgatitjen e realizimin e tyre. Përgjithësisht qëllimi i

kryengritjes si mbas fjalëvet Ethemit edhe si mbas rrethanavet e ngjarjevet qi u

zhvilluan gjatë kohës së marshimit merret vesh se ka qenë shpallja e komunizimit

ne Shqipëri…” (F.157.V.1937,D.13/1 fl.264)

Kurse i pandehuri tjetër, Shefqet Gjoleka deponon: “…Etehemi vetëm ditën e

dielë kur shkojshim udhës për të xanë Vlonën më tha se kemi me vehte

intelektual e oficera pa më përmendë asnji emën dhe si emna më përmendi Dine

Hoxhën, Gjon Marka Gjonin, Maliq Bushatin e sa të merrnim Vlonën do ta pëlcasim

edhe kta Revolusjonin. Në Vlonë ke me i marrë vesht planet e mija më tha Ethemi.

Do të qirojmë deputetët, qeveritartë e sotëm e do bajmë çdo pastrim…Programi

ishte me hye në Vlonë ditën e dielë ora 3 mbas drake por pllanin na e prishi

Kap. Ded Jakova i cili na vue pushkën dhe na vonoj…”

(F.157, V.1937, D.13/1, fl.269)

Ndërkohë që në deponimin e datës 11.06.1937, Shefqet Gjoleka shton:

“… Kurë më thirri me letër dhe vajta në Delvinë e pyeta për shkakun e thirrjes

dhe më tha se tash erdhi koha qi ta kam thanë, un po baj revolusjon dhe sa të

zej Vlorën do të përqendrojmë fuqit në Mifol dhe si të zemë arkat e shtetit dhe

ato të Doganave dhe të marrim prej pasanikëvet çka t’ju gjenden dhe do t’ju

shpërndajmë në popull dhe kështu më nji fuqie të mjaftueshme do vemi në Tiranë

dhe atje do të shpallim komunizimin, gjë që asht fare e kollajt tue qenë se

shumica e popullit asht e vobektë e pasunija asht përmbledhun në 15-20 veta.

Kështu qi sukesi i këtij revolusjoni më thoshte Ethemi ishte i ma se i sigurt…”

(po aty, fleta 271)

Po kështu, i pandehuri tjetër, Xhelal Shtupani, në deponimet e bëra në hetuesi

më datën 31.05.1937, përveç të tjerave deklaron: “në bisedime rrugës me Ismet

Toton, ky i ka pohuar: “Bajraktari i Krasniqes po të ndigjonte kryengritjen e

Etemit kishte me fillue pushkën pa qenë nevoja për marrëveshje tjetër, si dhe

Dine Hoxha po në këtë mënyrë do vepronte dhe kishte shpresë se po të ndigjonte

kryengritjen e Etemit kishte me marrë pjesë pa dyshim edhe Muharrem Bajraktari…”

(F.157.V 1937, D. 14, fl.127)

Në një ndër dëshmitë kryesore në Gjyqin Publik të zhvilluar në kalanë e

Gjirokastrës, Qark komandanti i Gjirokastrës, Kapiten Ded Jakova, pohon: “…

Kështu që m’orën tre të mëngjesit, të ditës së nesërme kemi fillue marshimin për

në Gjinokastrë dhe kur kemi arritë në Kordhocë na kanë dalë përpara dhe kanë

thanë se fuqitë rebele iknë, kemi hyrë ne Gjinokastrë ku populli na ka pritë me

enthuzasmë tue brohoritun për Mbretin e për Qeverinë. Massi u stabilizua qetësia

kam mbajt një fjalim të shkurtër popullit për sjelljet e mira të tyre dhe më pas

ka ardhur me fuqi dhe N/Kolonel Osman Gazepi. Ma vonë mora vesh dhe pashë se

kishin grisë aktet e gjyqit, kishin grabit arkën e financës dhe të zyrës së

post-telegrafit dhe atë të rekrutimit. Nga këto të gjitha lind me u kuptue se

veprimet e rebelëvet jane vëprime bolshevike, mbasi të tilla si ato bahen vetëm

në Rusinë Sovjetike, nuk ashtë dëgjue kurrë dhe sa do ndryshime që kanë ndodhur

ashtu dhe akoposionet e hueja që të lirohen të burgosurit e të grisen aktet dhe

të grabiten arkat e shtetit. Pra rrethanat e gjithë veprimeve të tyre kuptohet

se ishte tendencë bolshevike.” (F.157, V.1937, D.15, Fl. 278-279)

Në të njëjtën linjë ka dëshmuar dhe kapiten Luigj Berisha: “Çfarë qëllimi kanë

pasë kryengritësit unë nuk dij, por nga veprat e tyre si të grabitjeve dhe te

grisjes së akteve të rekrutimit dhe mobilizimit dhe t’atyrevet në gjyq, kuptohet

haptazi se rebelët kanë pasur qëllime bolshevike…” (F.157, V.1937, D.15, fl.279)

Sigurisht që pretenca e prokurorisë dhe më pas dhe vendimi i Trupit Gjykues do

të mbështetëshin fuqimisht në këto dëshmi të sipërcituara për të argumentuar

karakterin Bolshevik të kryengritjes së Delvinës, me qëllim dhe justifikimin e

masave të marra dhe dënimeve të dhëna, para opinionit të brendshëm dhe të

jashtëm. Por në korrespondencën e prefektit Zef Kadarja me Ministrin e

Mbrendshëm Musa Juka konstatohet se gjyqtari Eqerem Hodua nuk pranon arsyetimet

e prokurorit dhe donte të mbetej në pakicë “tue thanë se lëvizja nuk ka ngjyrë

të kuqe por shëmbëllen”.

(F.152, v.1937, D.35/2,fleta 1544)

Në telin shifër Nr. 656/937 datë 25.06.1937 të dërguar nga Ministri Musa Juka

për prefekturën e Gjirokastrës theksohet: “Mbasi Eqerem Hodua si nënpunës q’asht

i lirë me shfaqë mendimin e vet në vendimin e Gjyqit, dhe m’anë tjetër kryetari

bashkë me tre antarët e gjyqit qi janë dakort të marrin vendimin në majoritet me

ato terma qi përmban pretenca e prokurorit. Përsa i përket dënimeve edhe kjo

Ministrie e gjen me vend vendimin qi thoni se do të napin Gjyqi. Vendimi i

Gjyqit duhet patjetër të jepet nesër…” (Po aty, fleta 1552)

Të nesërmen më datë 26.06.1937 Trupi Gjykues i Gjykatës së posaçme për Faje

Politike, i drejtuar nga Kolonel Abidin Xhiku, shpalli vendimin ku u ndëshkuan

me vdekje Kapiten Ismail Gjylbegu, Ismet Riza Toto, nëntoger Xhelal Shtupani,

dhe kapter Ramadan Muhamet Braka; dënimin me 101 vjet burg të fajtorëve Hidajet

Ahmet Hajnos, Ali Hajder Nivicës, Shefqet Myslim Gjolekës e Mato Sheremet Qenit;

ndëshkimin me 3 (tre) vjet burg të Ago Shero Agajt, tue marrë parasysh se faji i

tij i takon nenit 6 të Ligjës Ndëshkimore për faje politike. Ndërkohë që në këtë

vendim të trupit gjykues rezultojnë të dënuar me njezet vjet burgim shtatë

persona, me pesëmbëdhjete vjet burgim gjashtë persona, me nga dhjetë vjet burg

shtatë persona, me nga tetë vjet burgim tetë persona, me nga pesë vjet burgim

njëze e shtatë persona, me nga tre vjet burgim gjashtëmbëdhjetë persona, me nga

dy vjet burgim katër persona, me nga një vjet burgim shtatëdhjetë e dy persona.

Kurse 44 të burgosun morën pafajësinë. (F.157,V.1937,D.15,fl.567-569)

Bazuar ne Nenin 12 të Ligjës së Posaçme për Faje Politike, pas një hezitimi

disaditor më datën 9 Korrik 1937, në Durrës, Mbreti Zogu I “Dekretoj aprovimin e

Akt-Gjykimit Nr.2 datë 26 Qershuer 1937 të Gjykatës së Posaçme për Faje

Politike, përsa i përket dënimit me vdekje të quajturve Kapiten Isamil Gjylbegu

nga Shkodra, Ismet Toto nga Progonati, nëntoger Xhelal Shtupani nga Shëngjergji

i Tiranës, Kapter Ramadan Muhamet Braka nga katundi Vermik i Kurveleshit, dhe

urdhënon zbatimin e tij”.

(F.152, V. 1937, D.35/, fl.1656)

Ekzekutimi i këtij Dekreti u bë me datën 12./7/1937, 3.10 e mëngjesit në Kalan

e Gjirokastrës.

Deklarimet e katër të dënuarve para se të ekzekutoheshin janë:

“1) Ismet Totua deklaroj se:Nuk kam kurgja ndo nji porosi për familjen t’eme, vetëm se i lë kujtim gruas t’eme Sahatin e dorës, si dhe në unazë, gjith ashtu edhe të gjith teshat që kamnë dhomën e fjetjes së burgut, dhe na dorëzoj sahatin bashkë me unazën, prej të

cilave unaza ështe floriri me nr.32 dhe me shkabë, dhe sahati është i dorës me

markën Omega i sermit të bardhë, duke shtuar në fund Roftë Shqipnia.

2) Kapiten Ismail Gjylbegu deklaroj se: Seitit vëllait t’em i lë amanet gruan me fëmijë. Gjendarmëve e gradauteve u kërkoj ndjesë se i kam tradhtue pa ditun të shkretët kur gja, sikurse edhe unë që u trathëtova. T’u thoni gjith shokëve të mi oficera ashtu edhe atyre me gradë të nalta që t’i binden urdhënit të N.M.TIJ MBRETIT SHQIPTARËVE Zog I rë, se Ay është i vlefshëm dhe i vetmi për këtë vend, që të mos tradhëtojnë atë-herë do të

vdesin trathëtisht si kurse dhe unë sot. Shtoj ma në fund tue bërtit gjithnji

Lamtumir o shokë, dhe ma bani hallall, Roftë Mbreti Zog, Irë; Roftë Shqipnia,

dhe ma në fund tha Ju lë shëndenë të gjithë juve o shokë që ndodheni këtu, si

dhe Z.Prokurorit…

3)N/Toger Xhelal Shtuapni deklaroj se: Ju lutem mbani në proces këtë shënim, dhe filloj kështu: N.M.Tij. Zog, I. MBRET I SHQIPTARËVE Tiranë: “Fjalë ma të sinqerta se pesë minuta para vdekjes s’keni me gjet” tue shtuar ma në fund me za të naltë Roftë Mbreti Zog, I. Mbret i shqiptarëve. Roftë Shqipnia. Shtëpisë t’ime nuk kam kur gja t’i them ndo nji porosi.

4) Kapter Ramadan Braka deklaroj se: Nuk kam për të thënë gja për shtëpinë t’ime, vetëm trupin t’im ju lutem t’ja dorëzoni vëllaut t’em që t’a varosij ku të dëshirojë, dhe ma në fund bërtiti me za të naltë Roftë Mbreti.”

(F.157, V.1937, D.16, Fl. 4-5)

Republika Shqiptare

Komanda e P.F. Armate Tiranë---------

Forma e betimit

Baj be me i ndejtë besnik Kryetarit të Republikës; me bae theror jetën për

mbrojtjen e Atdheut dhe të ligjës themelore, me mos lanë Flamurin kurrë, me u

sjellë pik për pik simbas ligjëve ushtarake; me iu bindë plotësisht e pikrisht

urdhnave t’eprorve, me mbajtë e me ruejtë nji disiplinë të fortë e me bae çdo

gja qi nderi e lirija e Atdheut e kërkojnë prej meje.

Besa besë, besa besë, besa besë.

Nënshkrimi i Oficerit Betues

Data-----------

(F. 160, V.1926, D.2fl.3)

Mbretnija Shqiptare

Komanda e Mbrojtjes Kombëtare

BETIMI

Me ndërgjegjen e plotë e të shenjtës ligjë trashëgimtarë të besës, betohem me

qenë besnik i Nalt Madhnisë së Tij Zog.I. dhe trashëgimtarëve të Tij Mbretnuer,

me respektue Statutin dhe të gjitha ligjet e tjerë të shtetit e me qenë i

gatshëm me u ba fli për të mirën e pandashme të Mbretit e t’Atdheut Oficeri qi betohet

Data-----------

(F.160,V. 1928, D.4 fl.27)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›