Deputeti Dogjani në spital, Bare: Do rikthehem
Gjendja shëndetësore e grevistëve të urisë është përkeqësuar 24 orët e fundit. Në ditën e 11 të saj, katër grevistë, mes të cilëve dhe deputeti i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani kanë lënë çadrën dhe janë transportuar me autoambulanca në qendrën spitalore "Nënë Tereza", duke e çuar në 23 numrin e grevistëve që e lënë atë. Dogjani u dërgua në spital rreth orës 13:00 të ditës së djeshme me probleme kardiake dhe është dërguar në pavijonin e kirurgjisë, ndërsa Fatmir Kalemaj nga Patosi, Astrit Agjami nga qyteti i Kukësit dhe në orët e pasdites Endrit Gjikondi, kanë pasur probleme me tensionin dhe stomakun dhe janë dërguar në spital. Ndërsa grevistja Elisa Spiropali, e cila të dielën braktisi grevën, doli dje nga spitali rreth orës 13:00, dhe u rikthye në ambientet e grevës për të takuar grevistët e tjerë. Spiropali deklaroi se nuk mund t'i rikthehet grevës, pasi mjekët nuk ia lejojnë një gjë të tillë. "Jam rikthyer për të takuar grevistët, më kishte marrë malli për të gjithë. Dëshira ime dhe vullneti im do donte të rikthehesha brenda, por për arsye shëndetësore dhe për rregullat që ka greva nuk mund të kthehem më në grevë", tha Spiropali. Sipas saj, kjo është një grevë patriotike. "Ne jemi për të vendosur në këtë vend shtetin ligjor, institucionet e pavarura, kemi një Qeveri që ka dalë nga sistemi i deformuar kushtetues, ligjor. Jemi këtu për të vendosur në vend shtetin e së drejtës, është grevë patriotike, nuk jetohet në një "barakë" të kalbur që bie copa-copa, çdo ditë", nënvizoi Spiropali. Ndërsa deputeti i qarkut të Tiranës, kreu i PS së kryeqytetit, Besnik Bare, i cili u largua dy ditë më parë nga greva, ndjehet më mirë dhe tha dje se do të rikthehet në grevë. "Gjendja ime shëndetësore është përmirësuar dhe jam i vendosur të rikthehem në grevën e urisë. Mjekët ende nuk më japin garanci për këtë veprim, por unë jam i vendosur për të mos iu ndarë sakrificës sonë", tha dje Bare nga ambientet e spitalit. Kreu i grupit mjekësor që monitoron grevistët, profesor Sabit Brokaj foli dje me tone aspak optimiste për gjendjen shëndetësore të grevistëve për ditët në vijim. "Gjendja e grevistëve është rënduar më shumë, të gjithë kanë shqetësime. Tani rreziqet janë nga të gjithë organet, por veçanërisht ajo që është e përbashkët për të gjithë, janë ato që ne i quajmë ndryshimet elektrolitike. Të cilat prekin të gjithë sistemet, pasi janë substanca jetësore, funksionale të qelizës", u shpreh Brokaj. a.l