Në përfundim të vizitës së tij në Shkodër, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp. Duke folur për projektet e ardhshme për Shkodrën dhe mbështetjen që ato do të kenë nga qe
Në përfundim të vizitës së tij në Shkodër, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp. Duke folur për projektet e ardhshme për Shkodrën dhe mbështetjen që ato do të kenë nga qeveria për realizimin e tyre, Kryeministri, ndër të tjera u shpreh:
"Ka projekte të mëdha për Shkodrën, projekti për urën e Bunës, në mënyrë që ky lumë të rikthehet në një lumë të lundrueshëm ku të mos pengohen anijet, për autostradën Shkodër-Hani i Hotit, parkun industrial, hidrocentralin e Bushatit. Do të bëjmë përpjekje që, krahas hidrocentralit, Shkodra të ketë edhe termocentralin e vet.
Qeveria do të mbështesë të gjitha projektet e bashkisë së Shkodrës, e bashkisë së Koplikut, të Vaut të Dejës, te Velipojës që do jetë së shpejti bashki, sepse ajo zonë e mrekullueshme duhet bërë bashki, si dhe të komunave te tjera. Sikundër jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjen tonë me tolerancë zero ndaj korrupsionit.
Ne vijmë sot këtu dhe marrim zotime të tilla, nisim dhe inagurojmë punë të tjera te mëdha publike. Mjafton të rikujtoj se gjatë këtij mandati, në rrugët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë do të investohen mbi 1.2 miliardë euro. Unë dua të informoj qytetarët se shkaku kryesor që bëri të mundur këtë është angazhimi jonë në luftën kundër korrupsionit.
Ne po i ulim taksat dhe po rrisim të ardhurat, jo vetëm sepse ulja e taksave nxit ekonominë, por edhe sepse po luftojmë me vendosmëri kontrabandën, evazionin fiskal, kushte vendimtare këto për të mbrojtur lirinë e tregut.
Po luftojmë abuzivitetin e zyrtarëve dhe do ta luftojmë gjithnjë e më shumë. Këtë vit ne kemi shkurtuar nga shpenzimet operative të administratës, lukse, vetura, udhëtime jashtë shtetit, telefonata të pafundme me telefonat publikë, udhëtimet brenda vendit të pamotivuara, jo 10 apo 20, por 100 milionë euro. Në fillim të vitit 2006 bëmë shkurtimin prej 46 milionë leke. E vërteta është se ne shkurtuam me mbi 50 përqind shpenzimet në Këshillin e Ministrave, ndaj edhe deklaruam se luftën kundër korrupsionit do ta nisnim nga vetja jonë, nga zyrat tona. Por kjo frymë funksionoi në të gjithë administratën dhe më shumë do të funksionojë këtë vit. Prokurimet publike kanë patur një kosto 25 përqind më të ulët këtë vit, sepse nuk ka më zarfa për ministra, drejtorë.
Ne jemi të vendosur të bëjmë luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar. Në Shqipëri, i fortë do të jetë vetëm ligji, që ka qenë më në minorancë se kushdo tjetër, do të sundojë në çdo gjë dhe në çdo skaj të këtij vendi. Ndaj edhe ne, jemi shumë të vendosur për një zbatim të paanshëm të ligjit. Shqipëria nën ligj është dhe mbetet motoja jonë. Në këtë fushatë përballen dy rryma, rryma e integrimit të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rryma e bilbilave dhe borive në parlament, rryma e luftës kundër korrupsionit dhe rryma e mbrojtjes së korrupsionit. Pra, kjo është një betejë në vazhdim, por është betejë e fituar. Asgjë nuk mund të lëkundë vullnetin tonë për të vazhduar me përkushtim në këtë drejtim. Zoti Luka do ketë mbështetje të plotë të qeverisë në të gjitha projektet.
Kam ardhur në këtë qytet para disa vitesh dhe, nuk do ta harroj ndonjëherë, kur u informova se investimet atë vit në këtë qytet kishin qenë vetëm 30 mijë dollarë, kishin qenë të paktën 15 përqind më pak se djetat, biletat dhe udhëtimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por le t'i arkivojmë këto në të shkuarën. Ne nuk bëjmë diskriminime. Natyrisht, nuk mund të pranojmë që e njëjta rrugë, me të njëjtat shtresa, me të njëjtën gjerësi, me të njëjtin terren, të kushtojë 50 përqind më shumë në bashkinë e Tiranës, sesa në bashkinë e Shkodrës, çka do të thotë se zarfi i ish kryetarit të bashkisë kap ndonjëherë edhe vlerën e 50 përqind të punimeve. Këto nuk do të pranohen më.
Por, këtë do ta zgjidhin edhe vet qytetarët që, në 18 shkurt, do të votojnë për të vazhduar së bashku, do të votojnë koalicionin më të madh, më të gjerë që është paraqitur ndonjëherë. Do të votojnë kandidatin e këtij koalicioni, zotin Lorenc Luka, një nga udhëheqësit më të shquar të Partisë Demokratike për Shkodrën, do të votojnë, në të gjitha komunat dhe bashkitë e këtij rrethi, kandidatët e këtij koalicioni. Edhe njëherë, unë dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Shkodrës.
Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:
Pyetje: Duket se nuk është mbajtur premtimi se në anëtarët e këshillave bashkiakë të kandidonin një përqindje e ndjeshme e grave. Si e vlerësoni këtë?
Kryeministri Berisha: Është për të ardhur keq dhe unë tani informohem për këtë, sepse nuk jam marrë me këshillat, sepse decentralizimi funksionon edhe në parti. Por, në rast se ka hapësirë, të siguroj se edhe kjo do të korrigjohet.
Pyetje: Vihen re mungesa edhe ne kandidimin për postet e kryetarëve te bashkive dhe komunave?
Kryeministri Berisha: Po, për kryetarët keni të drejtë. Ka patur një problem shumë serioz dhe këtu kanë ndikuar fuqishëm propozimet e ardhura nga baza. Sidoqoftë, mendoj se ky është një defekt serioz që PD dhe unë duhet ta trajtojmë me seriozitet për t'i dhënë përgjigjie në të ardhmen. Absolutisht, përzgjedhja e kandidaturave të grave është një detyrim madhor, moral dhe ligjor i PD-së
Pyetje: Ka një rënie të votuesve, duke krahasur nga 2003 në 2006. Si mendoni për këtë?
Kryeministri Berisha: Jo, nuk ka rënie të votuesve. Përkundrazi, numri i votuesve në 2003 është shumë më i ulët sesa në 2005-ën.
Pyetje: Ka shumë kandidatë të partive të tjera, që formojnë koalicionin e madh, që kandidojnë jashtë siglës së PD-së në komuna dhe bashki të Shkodrës dhe që ndiqen në fushatat e tyre nga segmente dhe struktura të PD-së. Cili është qëndrimi që ju mbani për këtë fenomen?
Kryeministri Berisha: Për këtë dua të garantoj se degët lokale të Partisë Demokratike kanë porosi të prerë dhe kategorike të mbështesin vetëm të kandidatët e koalicionit të 9 partive. PD nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Në çdo rast që do të konstatohet kjo që thoni ju, PD do të qëndrojë me të gjithë masat që ajo mund të ketë. Natyrisht, të jem i sinqertë, nuk inkurajojmë asnjë të pavarur, por nuk i ndalojmë dot të kandidojnë, sepse ky është një vend i lirë. Por përsa i përket mbështetjes, kjo do të jetë zero.
Pyetje: A mendoni se politika shqiptare, me konfliktet e saj të brendshme, e ka zbehur vëmendjen ndaj çështjes kosovare, duke iu rikthyer edhe të kaluarës, ku sa herë ka probleme serioze në Kosovë, në Shqipëri do të ketë dicka konfliktuale.
Kryeministri Berisha: E vërteta është se asgjë më të hidhur, në 15 vite jetë politike, nuk kam sesa kriza e absurdit, e krijuar totalisht mbi bazën e dyshimit, mbi bazën e obsesionit, mbi bazën e frikës. Unë e kam ndier veten shumë të turpëruar, si shqiptar, kur shihja një shqiptar tjetër, jo i parëndësishëm, por kryetar i një partie ndër më kryesoret e vendit, të përdorte ligjin konsensual për të bllokuar një proces që është jetik, sikundër kam patur bindjen më absolute dhe e kam shprehur këtë në mënyrë të përsëritur, se problemi do të zgjidhej në mënyrë demokratike, se ata të cilët synojnë kriza, nuk do të mund të rrezatojnë krizat e tyre personale në shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare ka arritur një pjekuri, një maturitet, qoftë demokratik, qoftë politik, falë të cilit nuk mund ta zhysësh lehtë në krizë, nuk mund ta manipulosh lehtë siç mund të mendohet. A kishte ajo një impakt negativ?. Po, kishte një impakt të shëmtuar mbi problemin e Kosovës. Por, nëse i kthehemi historisë sonë, të ecim në dekada dhe, për të mos thënë më shumë, gjithmonë do të gjejmë situate të tilla, për fat të keq gjithmonë na kanë shoqëruar individë të tillë. Sepse, e them edhe njëherë, në një kohë që gjysma e kombit ishte në prag të statusit, të kurorëzimit të një sage të pashembullt në Europë, qëndrese dhe sakrificash, gjysma tjetër nxirrte çështjen e çertifikatave. Ishte primitive. Nuk mund të them se kishte synime, por projektimin e saj e shprehën haptaz edhe komuniteti ndërkombëtar. Ishte jashtëzakonisht e turpshme dhe negative. Për hir të së vërtetës, nuk mund të pranoj simetrizime, sepse për të gjykuar nëse kishte gjë simetrike apo jo, duhet t'i referohemi realitetit. Unë jam këtu si kryeministër i këtij vendi dhe po ju them se po shkoja në zgjedhje pa ndryshuar asnjë nen, asnjë ligj, asnjë vendim të mëparshëm, të votuar, të firmosur, nga qeveritë socialiste. Jo se nuk kisha mendime të tjera, por sepse e konceptoja që rregullat e lojës janë të atilla që ato gjëra që janë arritur me konsensus nuk duhet të preken. Ishte zotëria e tij, që kërkonte të ndryshonte një kuadër të tërë ligjor të vendit, të miratuar kur ata kishin qenë shumicë. Por, pavarësisht se ishte një krizë e shëmtuar, sërish një zgjidhje demokratike e kishte - dhe unë ia kisha përcjellë të gjithë botës këtë -, pavarësisht nga obstruksionizmi, pavarësisht nga fondamentalizmi që treguan. Kështu që simetria është krejt e pavend. Eshtë e vërtetë që kjo është pjesë e peisazhit politik shqiptar dhe unë këtë nuk e mohoj. Ato ditë unë isha në pozitën më të vështirë, sepse më pyesin në zyrën time, në takimet me diplomatë dhe unë nuk isha në gjendje të thosha asgjë për ta. Mirëpo, kjo shoqëri ka maturitet, pjekuri demokratike, ka vuajtur shumë në diktaturë dhe i ka të çmuara vlerat e demokracisë. Unë jam shumë optimist, pavarësisht gjithckaje që ndodhi.
Pyetje: A e kanë mbështjen dhe përkrahjen e qeverisë shqiptare shqiptarët e Malit të Zi?
Kryeministri Berisha: Partia Demokratike në opozitë dhe në qeveri ka mbështetur fuqishëm partitë politike shqiptare në Malin e Zi. Kam patur kontakte të vazhdueshme me kryetarët e partive politike shqiptare në Mal të Zi dhe dua të theksoj se kanë bërë gjatë këtyre viteve një përparim të admirueshëm. Kjo është meritë e tyre në radhë të parë, me mençuri, me vendosmëri, kanë zgjidhur një seri problemesh të rëndësishme të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, duke filluar nga predikimi në kishë, tek fakulteti në Podgoricë. Unë i kam ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet.
Po ashtu, Mali i Zi, gjatë gjithë këtyre viteve, ka mbajtur një qëndrim, me mundësitë që ka patur, pro shqiptar dhe antimillosheviç. Sepse, ai strehoi një numër të madh kosovarësh gjatë luftës, me mundësitë e tij, sepse në fund të fundit ishte një shtet i varur. Unë i kam vlerësuar shumë ato qëndrime, kam vlerësuar shumë angazhimin e shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi, një fqinj më i lire.
Por, a ka probleme të tjera? Sigurisht. Problemi i pakicave është një problem madhor, veçanërisht për vendet e Ballkanit, sepse këto vende janë histori e shkurtër lirie. Nëse shkon në Europë, mund të gjesh në vende të ndryshme mungesa në standardet e shkruara të minoriteteve. Ato vende, në radhë të pare, kanë drejtësi të pavarur dhe kushti më themelor për qytetarët e një vendi që të jenë të lirë dhe të garantojnë liritë e tyre, është drejtësia e pavarur, pastaj vijnë te tjerat. Ndaj edhe shqiptarët kanë kërkesat e tyre, i promovojnë në mënyrë demokratike këto kërkesa dhe unë jam optimist se gradualisht do të shkojnë drejt zgjidhjes së tyre. Pra, nuk është e vërtetë që janë të injoruar, asnjëherë, përkundrazi janë të vlerësuar, janë të mbështetur.
Pyetje lidhur me zhvillimet në komunën e Tuzin
Kryeministri Berisha: Ekziston një kërkesë për Tuzin komunë. Janë dy rryma midis tyre. Unë e njoh atë problem. Njëra rryma mendon se Tuzi si komunë e veçantë, do të ketë më pak financime, do të ketë më pak burime financiare. Ndërsa rryma tjetër pohon të kudërtën, se Tuzi si komunë jo e varur nga kryeqyteti, do të ketë më shumë zhvillim. Unë do të favorizoja ata që do të sjellin më shumë financime në Tuz.
Pyetje: Në vitin 2003 Shkodra ka qenë qytet kampion përsa i përket abstenimit, ndoshta deri në 70 përqind. Cfarë do t'u ofroni ju si nxitje qytetarëve shkodranë që t'i motivoni për të marrë pjesë në zgjedhje?
Kryeministri Berisha: Qytetarët shkodranë kanë 1 mijë motive më shumë se në 2003-shin, që t'u drejtohen kutive të votimit, sepse do të votojnë për dhjetra e dhjetra projekte të cilat marrin rrugë në këtë qytet dhe nisen me hyrjen e qytetit, vazhdojnë me rrugët dhe rrugicat e tij, me parkun industrial, me furnizimin me energji, me urën e Bunës, me autostradën Shkodër- Hani i i Hotit, por dhe me projektin me 6 mijë kilometra rrugë rurale dhe dytësore dhe rrugë turstike, në mënyrë që qyteti të përfitojë sa më shumë. Qytetarët e Shkodrës kanë motiv të madh të marrin masivisht pjesë në votime.
Pyetje; Ju theksuat se mbetet prioritet lufta kundër korrupsionit, por ndërkohë këto 6 muajt e fundit duket sikur ka rënë ritmi i kësaj lufte. Si mendoni se do të vazhdojë kjo luftë?
Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit është një luftë shumëplanëshe. Para së gjithash, ajo duhet të bazohet në ligje dhe procedura transparente, duhet të bazohet në privatizime. Po ju jap një shembull me prokurimet dhe cfarë po ndodh me to. Këtë vit kemi patur një ulje në total prej 25 përqind për prokurimet, në një kohë kur cmimi i energjisë është rritur. Por a ka patur abuzime me prokurimet? Pa diskutim. Abuzimi në prokurime vjen nga ndërhyrjet e fuqishme që bëjnë kompanitë kundër njëri tjetrit, duke shfrytëzuar zyrtarët e prokurimit. Ka një agjenci, por ka një Departament të Kontrollit të Brendshëm në kryeministri, për të cilin ju garantoj se nuk injoron asnjë ankesë. Pra, në prokurime, tenderi do të shpallet pasi të jenë afishuar në internet të gjitha dokumentat e tij, çka do të thotë që sipërmarrësi nuk ka nevojë t'ia kërkojë Entit të prokurimit apo ndërmarrrjes, por i klikon në faqen e internetit. Ky është një hap shumë poztiv. Po ashtu lidhur me sistemin e patentave, targave, ku ka probleme. Zgjidhja është privatizimi i shpejtë dhe i plotë i këtij sistemi.
U përqëndruam shumë fuqimisht tek arsimi, jo më me një sistem të përlyer, por me një sistem të pastër arsimor. Atë që bëmë me maturën shtetërore, atë do ta bëjmë për provimet në universitete. Pra, e verteta është se lufta kundër korrupsionit është duke u rritur. Kemi një kryeprokuror bastion të korrupsionit. Edhe atij do t'i japim një përgjigje në mënyrë demokratike, sepse demokracia është një sistem ku duhet t'i zbatosh ligjet. Sado që e dëmton vendin qenia e tij në krye të akuzës, do të ishte më keq për vendin nëqoftë se ekzekutivi i lejonte vetes të shkelte kushtetutën për këtë cështje.
Duhet të dëshmojmë vendosmëri dhe ne vendosmërinë e kemi. Dhe ju siguroj se lufta kundër korrupsionit do të njohë nivele që nuk i ka njohur më parë. Ajo përbën pikën e parë në axhendën e punës sime të përditshme, përbën kryefjalën e punës sime.
Pyetje: Po sot, pasdite, në Shkodër, do të jetë edhe kundërshtari juaj politik Edi Rama. Cili do të ishte mesazhi juaj për të ?
Kryeministri Berisha: Ta anullojë atë shkresën që u kërkon çertifikatë anëtarëve të Partisë Socialiste me teserën që kanë të firmosur nga Nano, sepse ai e di që i humbet këto zgjedhje dhe po përgatit që t'i përjashtojë ata nga vota.
Mesazhi im është që Shkodra dhe mbarë Shqipëria, për të dëshmuar maturitetin politik, të votojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. I siguroj qytetarët e Shkodrës se fitoren më absolute konsideroj zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Për këtë kemi nevojë të gjithë, për këtë ka më shumë nevojë se çdo gjë tjetër Shqipëria dhe unë jam i bindur se ne do t'ia japim këtë dhuratë që meriton plotësisht, më datën 18 shkurt.