E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraditen e së dielës, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm mes qytetarëve të Shkodrës, në tubimin e organizuar me ta, në pallatin e sportit të qytetit. Duke përshëndetur të ft

Paraditen e së dielës, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm mes qytetarëve të Shkodrës, në tubimin e organizuar me ta, në pallatin e sportit të qytetit.

Duke përshëndetur të ftuarit dhe të gjithë pjesëmarrësit në takim, Kryeministri u drejtua me fjalët:

"Para së gjithash dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë, nderimin më të madh, të përulem para jush, qytetarëve të mbarë Shkodrës për mbështetjen tuaj të fuqishme, për besimin tuaj të pathyeshëm, për qëndrimin tuaj të pamposhtur në mbrojtje të vlerave që janë me të çmuara për njeriun për shoqërinë e lirë, në mbrojtje të aspiratave, të cilat janë dhe mbeten lokomotivë e fuqishme e zhvillimit të shoqërive dhe kombeve. Ju qëndruat në çdo kohë në anën e drejtë të historisë kombëtare, të historisë së qytetërimit.

Të nderuar qyetarë të Shkodrës!

Unë kam nderin e madh që jam sot midis jush dhe vij këtu edhe për t'u informuar ju për kontratën që kemi firmosur së bashku më 3 korrik, për kontratën e re që do të firmosim në 18 shkurt. Gjatë këtij viti ne ia dolëm që vokacionin e shpirtit tuaj perëndimor, kontributin tuaj në këtë qytetërim, ta konkretizojmë me marrëveshjen e stabilizim-asociimit, kontrata më e madhe dhe më e fuqishme që kombi ka firmosur ndonjëherë me Evropën e qytetëruar.

Ne ia dolëm të marrim mesazhin e Samitit të Rigës si një vend, kandidat i mundshëm, ndër shtete, për anëtarësim të plotë në NATO. Në shekuj dhe mijëvjeçarë Shkodra qëndroi si ura kryesore e kombit drejt perëndimit. Në këtë sallë, në sheshin e qytetit tuaj, në të gjitha sallat dhe sheshet e Shqipërisë, kam dalë para jush me një zotim solemn se unë do të mbroj paratë tuaja nga hajdutët,kontrabandistët, zyrtarët abuzivë.

Sot, unë vij këtu pas një viti, pas betejave të ashpra me zero tolerancë ndaj korrupsionit, t'u informoj ju, se ne ia dolëm të shpëtojmë nga duart e zeza të tyre të 100 apo 200 milionë, por 600 milionë euro. Secili nga ju mund të më shtrojë një pyetje.Çfarë përfituan qytetarët e Shkodrës, çfarë përfituan qytetarët shqiptarë nga kjo? Nga kjo përfituan 400 mijë pensionistë, në fshat dhe në qytet, të cilët nuk marrin më pensione më të ulëta se 100 mijë lekë (të vjetra) në qytet dhe 50 mijë lekë (të vjetra) në fshat. Nga kjo përfituan 38 mijë arsimtarë, rrogat e të cilëve u rritën me 23 përqind, përfituan 108 mijë punonjësit e administratës, rrogat e të cilëve u rritën me një mesatare 20 për qind. Nga kjo përfituan të rinjtë shqiptarë, për të cilët u hapën dyert e universiteteve. Nga kjo përfituan të gjithë biznesmenët shqiptarë, ku ata të cilësuarit biznesmenë të vegjël, paguajnë 50 përqind taksa më pak, paguajnë 30 perqind energji më lirë. Nga kjo përfituan të gjithë punëdhënësist shqiptarë të cilët paguajnë 35 perqind më pak sigurime shoqërore për të punësuarit e tyre.

Ne u përpoqëm tua kthejmë në mirësi, një numri sa më të madh shqiptarësh. Por nga kjo përfitoi kombi dhe Shqipëria sepse ne kemi kontraktuar në këtë periudhë, për autostrada, rrugë, ura, më shumë se në 50 vitet e fundit. Kemi kontraktuar dhe kanë nisur punimet në të gjithë gjatësinë e autostradës Milot-Morinë. Do të fillojnë punimet në autostradën Fier-Vlorë. Nga mesi i vitit fillojnë punimet në autostradën Shkodër-Hani i Hotit. Fillojnë në urën e Bunës. Do të fillojnë punimet për 6000 km rrugë rurale. Të cilat do të lidhin Shkodrën me zonat turistike, që do të nxjerrin Shkodrën dhe qytetet e tjera shqiptare nga balta. Nga kjo përfituan të gjithë qytetarët shqiptarë dhe kombi në tërësi sepse lufta që i bëmë me zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar bëri të mundur firmosjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit.

Qytetarë dhe qytetarë të Shkodrës!

Unë prapë do të vazhdoj të mbroj paratë tuaja , sepse miniera juaj e floririt qendron në luftën kundër korrupsionit. Unë ju garantoj se çdo muaj, çdo vit do të shpëtojmë para, duke i kthyer në rruge, shkolla, rroga, pensione për ju, por kjo luftë e vështirë me këtë kancer ka njohur një vlerësim të madh ndërkombëtar. Vetëm 3 ditë më parë, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku përfaqsohen parlamentet e 43 vendeve, votohet rezoluta në të cilën thuhet tekstualisht: Përshëndesim luftën me zero tolerance të qeverisë shqiptare kundër krimit, kundër korrupsionit dhe trafiqeve. Kjo nuk është një deklaratë boshe, por kjo deklaratë, ky vlerësim bëri të mundur që këtë vit të shtohen tre herë më shumë kreditë e huaja për Shqipërinë. Të tjerët na besojnë se nuk vidhen dhe shpërdorohen, se kthehen në infrastrukturë, shkolla, spitale për ju. Vitin e ardhshëm më shumë do të keni.

Të dashur qytetarë të Shkodres!

Kam kënaqësinë të zotohem se unë do ta mbështes zotin Lorenc Luka, këtë bir të shquar të qytetit tuaj në çdo projekt, për çdo shkollë, për çdo rruge dhe rrugicë, për parkun industrial, për unazën, për hyrjen e qytetit, për autostradën, që të gjitha do ti shndërrojmë në realitet. Së bashku do të inaugurojmë parkun industrial, gjeneratorin e fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Shkodrës Unë zotohem sot se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që 2007 të ndaj shqiptarët përfundimisht nga mungesa e dritave. Shkodra 24 orë uje dhe drita, Shkodra e urbanizuar është zotimi ynë për ju.

Qytetarë të Shkodrës! Ne jemi angazhuar në një beteje të madhe në një reformë të madhe, reformën e pronësisë. Dua tu siguroj se qeveria disponon të gjitha mundësitë për ti kthyer plotësisht, për të kompensuar plotësisht pronën pronarëve, sikundër është e vendosur të kompletojë me shpejtësinë më të madhe procesin e legalizimit, si kushtin më kryesor për paqen dhe stabilitetin social, për kompletimin e reformës së pronësisë.

Para jush dhe mençurisë tuaj dua kërkoj mirëkuptimin. Në vitet ‘90 Shqipëria erdhi si një shoqëri ku 2/3 e saj jetonte në fshat. Qyteti dhe vetëm qyteti është dhe do të jetë e ardhmja e shqiptarëve. Ju qytetarët e Shkodrës e dini se në të gjitha vendet e zhvilluara që kanë fusha 10 herë më të mëdha se tonat, kanë kushte 10 herë më të mira se tonat, nuk kanë më shumë se 3 deri në 15 % të popullsisë në fshat. I kanë mbushur qytetet, duke i zhvilluar ato. Qyteti është e ardhmja e çdo kombi, e ardhmja e çdo vendi. Ndaj dhe unë do të zotohem se pas legalizimit, nis një proces i plotë i urbanizimit të zonave, i shndërrimit të tyre në lagje dhe blloqe të zhvilluara të qyteteve shqiptare.

Sot pasdite, këtu vjen mister kriza. Unë u bëj thirrje mos ia shihni për të keq krizën e certifikatave, sepse më ra në dorë një dokument që urdhëronte që të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste me tesër të kuqe të firmosur nga Fatos Nano nuk do mund të votonin në parti pa paraqitur certifikatë. Tani ju e kuptoni vetë se sa thellë iu është futur frika e votës dhe certifikatave. Kështu, që më 18 shkurt le të bëjmë çdo përpjekje që pavarësisht bindjeve tona politike, pavarësisht nga përkatësia partiake ose jo partiake, para së gjithasht të votojmë si qytetarë të denjë të Shkodrës, si qytetarë të denje të Shqipërisë, si qytetarë të denjë të Evropës. Zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, ky është zotimi ynë, ky është premtimi ynë, këtë pret Shqipëria nga ne."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›