E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas debateve, studentja i pret fytin të dashurit të saj

Studentja i pret gurmazin të dashurit në korridorin e universitetit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në ambientet e reja të universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës. Lediana Zeka, 21 vjeçe, studente e vitit të dytë në degën Teknologji Informacioni dhe Informatikë ka plagosur rëndë bashkëmoshatarin Klaudio Kamberi, student në të njëjtin kurs. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy të rinjtë kanë debatuar ashpër në njërën nga sallat ku zhvillohet mësimi dhe më pas kanë dalë në korridorin e katit të parë të universitetit ku kanë vijuar të debatojnë me zë të lartë. Në një moment, studentja Zeka ka nxjerrë nga xhepi i xhupit një mjet të mprehtë, tip bisturie dhe ka prerë në fyt 21-vjeçarin Klaudio Kamberi, duke i shkaktuar një plagë të thellë. Më pas vajza është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Studentët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë marrë menjëherë të plagosurin dhe e kanë transportuar për në spitalin rajonal. 21-vjeçari Kamberi është futur menjëherë në sallën e operacionit ku u është nënshtruar ndërhyrjeve të nevojshme për t‘i shpëtuar jetën. Pas dy orësh përpjekje, mjekët kanë arritur t‘i ndalojnë hemorragjinë dhe sipas tyre, studenti ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por nuk mund të përjashtojnë ndonjë komplikacion që mund të shkaktohet nga marrja e gjakut dhe serumeve, apo nga ndonjë mpiksje gjaku. Sipas mjekëve, 21-vjeçari kishte të dëmtuara nga bisturia disa vena, si dhe fytin dhe nëse do të kishte shkuar pak minuta më vonë në spital do të ishte e pamundur të shpëtohej. Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë, ndërsa ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës çantën e studentes që kreu plagosjen e rëndë, si dhe disa sende të tjera. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se në çantën e studentes është gjetur edhe një kaçavidë, çka sipas hetuesve është një provë se ajo ishte përgatitur më parë për të kryer krimin. Ndërkohë, mësohet se pak orë pas kryerjes së krimit 21-vjeçarja Lediana Zeka është dorëzuar në Komisariatin e Policisë së Vlorës. Nga marrja në pyetje e saj është mësuar se dy studentët kanë qenë prej kohësh të lidhur me njëri-tjetrin dhe kanë shkuar mirë deri para një muaji, kur kanë filluar grindjet dhe kanë vendosur t‘i japin fund lidhjes. Por sipas Ledianës, Kaludioja merrte drogë dhe i kërkonte shpesh para edhe pas ndarjes, duke ia bërë jetën të vështirë. Vajza ka pranuar se kishte disa ditë që mbante me vete një thikë dhe një kaçavidë, për t‘i përdorur për vetëmbrojtje në rast të përplasjes me Klaudion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›