Pas deklaratës për propozimin e Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me Kosovën. Pyetje: E parashikoni të vështirë
Pas deklaratës për propozimin e Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me Kosovën.
Pyetje: E parashikoni të vështirë ecurinë e procesit deri në finalizimin e paketës së Ahtisarit, duke patur parasysh edhe qëndrimin e Beogradit?
Kryeministri Berisha: Ky është një dokument i Presidentit Ahtisari. Varianti i tij më i mirë do të ishte të nënshkruhej nga të dy palët. Por ky dokument do të zbatohet dhe në rast se Beogradi, në mungesën e plotë të realizmit, nuk e firmos atë. Nuk mund të them se është një rrugë e shtruar me lule në Këshillin e Sigurimit, por shpreh bindjen se vetëm pavarësia është zgjidhja që jep paqe dhe stabilitet dhe se qytetarët e Kosovës do të gjejnë gjithë mbështetjen e domosdoshme për realizimin e saj.
Theksoj se marrëveshja është kuadri i marrëveshjes së paqes dhe Kosova ka nevojë për paqe, rajoni ka nevojë për paqe. Në rast se këtu janë përfillur, në mënyrë të balancuar, të gjitha sensibilitetet, kjo ndodh sepse qëllimi kryesor i saj është një Kosovë stabël, e qëndrueshme, paqësore, një Kosovë e integruar në komunitetin ndërkombëtar.
Pyetje:Çfarë do të bëjë qeveria shqiptare për të ndikuar te Kina dhe Rusia për të votuar pro në Këshillin e Sigurimit për paketën e Ahtisarit?
Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar qytetarët e Kosovës për një Kosovë të lirë, të pavarur, Kosovë evropiane, shtet të qytetarëve të barabartë para ligjit.
Unë mendoj se marrëveshja i ka të gjithë elementët shtyllë në të cilat jep një Kosovë të lirë, një Kosovë demokratike, një Kosovë të bazuar mbi paqen, stabilitetin, një Kosovë me atributet e një shteti të pavarur dhe që do të shpallë, me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësinë e saj.