Pas vizitës në Fier, Kryeministri Berisha u ndal në qytetin e Lushnjes, ku zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në këtë takim, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
Pas vizitës në Fier, Kryeministri Berisha u ndal në qytetin e Lushnjes, ku zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në këtë takim, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Përulem me nderim të madh dhe mirënjohje të pakufishme para jush, para çdo qytetari e banori të këtij rrethi, sepse mbështetja juaj ka qenë vendimtare për ndryshimin e Shqipërisë në kohërat më të vështira. Ju votuat ndryshimin, ju votuat të ardhmen. Kam qenë dhe mbetem gjithmonë i frymëzuar nga guximi dhe trimëria, nga mençuria dhe vizioni juaj.
Unë kam ardhur tek ju për t'ju garantuar dhe për t'ju dhënë fjalën e nderit se Sali Berisha dhe qeveria që ai drejton do të firmosë dhe financojë çdo projekt që Florian Dani do të bëjë për Lushnjen. Lushnja moderne, në epiqendër qytetarin dhe hallet e tij, ky është projekti jonë për Lushnjen, ky është projekti jonë për Shqipërinë.
Zoti kryetar i ardhshëm i bashkisë, të bëj thirrje të punojmë me përkushtim bashkërisht që Lushnjes t'i krijojmë furnizim 24 orë me ujë, të kanalizojmë qytetin, asfaltojmë dhe gjelbërojmë të gjitha rrugët e tij, të ngremë në këtë qytet një nga tregjet më të fuqishme të vendit, të zgjerojmë qytetin me shtrirjet e tij më të afërta, Karbunarë dhe lagjet përrreth. Qeveria do të plotësojë me shpejtësi institucionet e prefekturës së Lushnjes. Kam kënaqësi që, sëbashku, gjatë këtij viti do të inagurojmë rrugën Lushnje-Fier, dhjetëditëshin e dytë të shkurtit inagurojmë autostradën Fier-Vlorë dhe Lushnja lidhet me Vlorën, Tiranën, Durrësin, Morinën dhe Kosovëm. Me këtë autostradë, Lushnja shndërrohet në një epiqendër të rëndësishme të zhvillimit të Myzeqesë, të zhvillimit të Shqipërisë. Dua t'ju jap fjalën të gjithë kryetarëve të komunave të Lushnjes se qeveria do të mbështesë fuqishëm, me përparësi të plotë çdo projekt për këto komuna për asfaltim, kanalizim, vaditje, agrobiznesin dhe çdo kërkesë tjetër të tyre. Nga mesi i këtij viti fillon projekti i madh kombëtar 6 mijë km rrugë rurale e dytësore në qytetet tona. Fusha e Muzeqesë dhe e Korçës do të jenë të parat në listën e këtij projekti. Ndaj dhe ju ftoj të bëni projektet e rrugëve që t'i asfaltojmë ato për të shkurtuar distancën me tregun të fermerëve lushnjarë. Qeveria është e vendosur të nxisë agrobiznesin e të krijojë një kuadër lehtësues për përpunimin e prodhimeve tuaja të mrekullueshme bujqësore. Vitin e kaluar kemi bërë një mbrojtje për to, ju garantoj se këtë vit mbrojtja për prodhimet tuaja bio do të dyfishohet.
Të dashur qytetarë të Lushnjes,
16 muaj në pushtet, ne vijmë sot tek ju si qeveri e premtimeve të mbajtura. Kam ardhur këtu, sikundër kam shkuar në çdo cep të vendit, me një premtim e betim solemn që ne do të mbrojmë paratë tuaja. E kemi bërë këtë me bindjen më të thellë se armiku më i egër i fëmijëve tuaj, i punësimit dhe mirëqënies suaj ka qenë korrupsioni. Ndaj, ashtu siç deklaruam se do ta nisnim betejën nga vetja jonë, - kur shkova në zyrë, ajo notonte në shpërdorime dhe abuzime, - akti i parë përgjysmuam të gjitha shpenzimet e administratës dhe ju raportoj se Këshilli i Ministrave ka shpenzuar vitin që kaloi 52 përqind më parë se çdo vit tjetër. Dhe ne e shtrimë këtë nisëm. Këto ishin paratë tuaja që zyrtarët i shpërdoronin për makina, telefonata pafund, pritje, udhëtime. Këto morën fund. Ne ia dolëm që, me një frymë tjetër të përdorimit të taksave tuaja, të shkurtojmë rreth 100 milion euro shpenzime operative të administrates shtetërore. Ne vendosëm transparencën në prokurimet publike. Kemi ulur koston e tyre 25 përqind, duke fituar fonde të shumta për projekte të tjera. Në një vit ia dolëm të shpëtojmë nga kthetrat e kontrabandistëve qindra milion euro, kemi zhdoganuar 2 mijë ton kafe më shumë se një vit më pare, kemi zhdoganuar 33 mijë ton naftë më shumë, 2 mijë ton birrë më shumë, qindra ton cigare më shumë, kemi zhdoganuar qindra e qindra ton mallra të tjera më shumë se një vit më parë.
Në këtë mënyrë ne ia dolëm, duke ulur taksat më shumë se çdo vend tjetër në botë, të shpëtojmë 600 milion euro, të cilat u përpoqëm t'i kthejmë në mirësi për qytetarët shqiptarë. Me këto para vetëm për rritjen e pensioneve dhe shpërblimet janë shpenzuar 94 milion euro. Me 600 milion euro, ne përgjysmuam taksen e biznesit të vogël, ulëm 33 përqind sigurimet shoqërore, ulëm 30-45 përqind çmimin për energjinë elektrike, rritem rrogat për 38 mijë arsimtarë, rritëm 25 përqind rrogat për 12 mijë infermierë, rritem me 20 për qind rrogat për 108 mijë punonjës të administratës. Me këto 600 milion euro, ne fituam një besim të madh në mbarë komunitetin ndërkombëtar. Kjo ishte arsyeja që institucionet ndërkombëtare vendosën të trefishojnë kredinë për qeverinë shqiptare, për projektet për Shqipërinë.
Me këto para ne po ecim drejt dyfishimit të shpenzimeve për arsimin. Ne hapën dyert e univesiteteve për të rinjtë shqiptarë. Ne jemi të vendosur të ngreme një rrjet konviktesh, ku çdo i ri që mbaron shkollën 9-vjeçare, pavarësisht nga gjendja ekonomike, të mund të vazhdojë shkollën e mesme dhe universitetin. Shqipëria do të ketë sistem modern të shkollimit të fëmijëve të saj.
Gjatë muajve të fundit të vitit që kaloi dhe muajt e pare të këtij viti, ne kemi prokuruar dhe nisin punimet vepra të mëdha publike në rrugë, autostrada më shumë se në 50 vite të marra sëbashku. Ne jemi të vendosur të modernizojmë aeroportet dhe portet, të krijojmë parqe industriale në Lushnje, Berat, Durrës dhe në të gjitha qytetet e mëdha si gjeneratorë të fuqishëm të punësimit dhe zhvillimit.
Më 3 korrik, kemi mbajtur një premtim solemn para qytetarëve të Lushnjes, Tiranës, Durrësit, Beratit, Vlorës, Sarandës, Tropojës, tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Asgjë nuk kemi më të çmuar dhe më të shenjtë se jetën tuaj, të fëmijëve tuaj, sigurinë e saj dhe të pronës suaj. Ne vijmë sot para jush ballë lart, sepse i vendosëm para ligjit bandat kudo që u gjenden në Lushnje a Tropojë, Tiranë a Berat, Elbasan a Korçë. Ne i kemi arrestuar ata kudo ku janë ndodhur, në Turqi, Maqedoni, Tiranë, Durrës, në shpellat e alpeve. Nuk ka vend për ta, kudo që ata janë do t'i çojmë para ligjit. Ligji e vetëm ligji janë zotimi ynë solemn.
Ne do të vazhdojmë sëbashku sepse, në rast se nxorëm Aldo Baren nga papafingot e Ankarasë, Aldo Bare tjetër është në krye të prokurorisë, është në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ju jap fjalën se ndëshkimi për Aldo Baret është ligji e vetëm ligji. Ne do t'i pastrojmë institucionet nga protektorët e krimit të organizuar. Këto zgjedhje i japin një përgjigje të madhe të gjitha problemeve. Nga Lushnja u them të gjithë qytetarëve shqiptarë se zyrtarët që ndihmuan në krim, nuk do të kene fat tjetër përveçse fatin e bosëve të mafias, me të cilët kanë ndarë pasurinë e tyre.
Lushnja është djepi i pluralizmit. Këtu në Lushnje kanë themeluar pluralizmin për here të parë në historinë e tyre. Ndaj ju bëj thirrje që në këto zgjedhje të votojmë me dinjitet të plotë, të votojmë si qytetarë të lirë e të bëjmë çdo përpjekje për zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria. Në këtë mënyrë i japim përgjigjen e merituar atyre, të cilët nga mëngjesi deri në darkë nuk shohin gjë tjetër veçse kriza me sytë hapur. Shqipëria ka dalë nga kriza. Shqipëria dhe shoqëria shqiptare kanë hapësirë të madhe demokratike, kanë një besim të madh tek vendi, tek familja, tek integrimi evropian. Ndaj ju ftoj të marrim pjesë masivisht në votim.
Në Tiranë, kryetari i PS edhe kandidon. Tirana është bastioni i fundit i kleptokracisë, por ju garantoj se zoti Edi Rama ka vetëm një fat, atë të piktorit në profesion të lire, të piktorit të dështuar. Të shkojë të bojatisë Pezën, por edhe atje nuk e lanë.
Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht, ju shpreh mirënjohjen më të thellë dhe ju uroj nga zemra fitore dhe vetëm fitore."