Kryeministri Berisha priti sot Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Zotin Abdulla Gyl. Kryeministri Berisha dhe Ministri Gyl shprehën kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer
Kryeministri Berisha priti sot Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Zotin Abdulla Gyl. Kryeministri Berisha dhe Ministri Gyl shprehën kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona, shprehje e së cilës, ndër të tjera, është intensiteti i vizitave reciproke të nivelit të lartë gjatë vitit të fundit.
Ata diskutuan gjerësisht mbi marrëdhëniet dypalëshe, të cilat shtrihen në të gjitha fushat, në ekonomi, tregti, ushtri, arsim, shëndetësi, luftën kundër krimit të organizuar etj.. Kryeministri Berisha dhe Ministri Gyl diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, në mënyrë të veçantë për nxitjen e investimeve turke në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh i kënaqur me interesimin dhe aktivitetin e deritanishëm të kompanive të rëndësishme turke në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë për të krijuar të gjitha kushtet për lehtësimin e aktivitetit të tyre.
Kryeministri Berisha dhe Ministri Gyl përshëndetën nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë midis dy vendeve dhe shprehën angazhimin e qeverive përkatëse për të përshpejtuar ratifikimin e marrëveshjes nga parlamentet e të dy vendeve. Ata u shprehën optimistë se kjo marrëveshje do të jetë një hap i rëndësishëm për fuqizimin e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve.
Duke folur për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, Kryeministri Berisha falenderoi Ministrin Gyl për mbështetjen e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO, duke theksuar se anëtarësimi në NATO është një objektiv madhor për vendin.
Kryeministri Berisha dhe Ministri Gyl diskutuan për gjendjen dhe bashkëpunimin rajonal, veçanërisht për çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha theksoi se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se Shqipëria mbështet pa asnjë hezitim pavarësinë e Kosovës, në respekt të plotë të të drejtave të pakicave. Nga ana e tij, Ministri Gyl theksoi se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme në Kosovë është ajo zgjidhje që merr parasysh realitetin e vërtetë që ekziston në Kosovë.