E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas dy muajsh stadiumi i Prishtinës bëhet me mbulojë

Prishtinë, 28 gusht - Tifozët që pas dy muajsh do të hyjnë në stadiumin e Prishtinës, do të befasohen. Kur të shohin ndryshimet që do të bëhen në tribunën perëndimore të stadiumit, tifozët fillimisht do të mendojnë se janë futur në ndonjë stadium evropian.
Kështu të paktën thotë menaxheri gjeneral i kompanisë "ASS - Sloven Group", Hamdi Rushiti. Kjo kompani është duke rindërtuar tribunën perëndimore të stadiumit të qytetit në Prishtinë. Sipas Rushitit punimet në stadium do të përfundojnë pas dy muajsh.
Ai ka bërë të ditur se faza e parë e punimeve ka përfunduar, ndërsa tani ka nisur faza finale. Ai ka premtuar se stadiumi i Prishtinës do të marrë pamje të një arene të vërtetë sportive. Ka mbetur që të bëhet vendosja e sistemit elektrik, reklamave ndriçuese dhe tabllove për nxehje solare.
"Faza e parë ka përfunduar. është sanuar konstruksioni që ka qenë para shkatërrimit nga ndryshku. Punët i kemi nisur para dy muajve, por kishim vështirësi të mëdha për shkak të reshjeve të shiut. Tash jemi në fazën finale. Stadiumi do të plotësojë standardet e FIFA-s dhe UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Punimet do të përfundojë për 45 deri në 60 ditë. Pasi të kryhen punimet, tifozët kur të futen brenda do të krijojnë bindjen se janë në një stadium tjetër dhe jo në atë të Prishtinës", ka thënë Hamdi Rushiti. 
Ai ka bërë të ditur se reflektorët do të vendosen në ballinë të stadiumit. Në pjesën e çatisë perëndimore do të jenë dhomat për media, gjashtë kabina për delegacione të ndryshme ndërkombëtare dhe një restorant për shërbime të publikut.
"Do të bëjmë edhe ndërrimin e një pjese të ulëseve, ndërsa pjesën tjetër do ta ngjyrosim me ngjyrat e klubit të Prishtinës. Për momentin në stadium janë 16.500 ulëse, kurse brenda mbulojës në anën perëndimore do të jenë 4.200 sosh. Ka mundësi që numri i ulëseve nën mbulojë të rritet në 6.200", ka shtuar Hamiti.
Projektin për mbulimin e tribunës perëndimore e kanë financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe klubi Prishtina. Projekti kap shumën e 282 mijë eurove. Kështu ka njoftuar zyrtari i klubit Prishtina, Naser Hyseni.
"Pasi të përfundojë projekti për mbulimin e tribunës perëndimore do të shikojmë mundësinë për rregullimin e infrastrukturës së brendshme", ka thënë Hyseni.
Stadiumi është pronë e komunës, ndërsa klubi Prishtina e ka atë në shfrytëzim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›