E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF: Masa të forta ajo që ndodhi nuk tolerohet

TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar një përgjigje me dorë të hekurt për ngjarjet e dhunshme të ndodhura në Kavajë dhe në Elbasan. Sidomos rasti i Kavajës, ku ndeshja Besa-Skënderbeu u ndërpre përpara përfundimit të saj për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë dhe për goditje të arbitrit anësor, do të jetë në qendër të komisioneve juridike të FSHF-së, sidomos pas ndryshimeve të propozuara nga klubet. Besa do të humbasë ndeshjen në tavolinë, ndërsa rrezikon pezullim të fushës, një gjobë të majme si edhe me ndryshimet e reja, mund t’i zbriten 3 pikë në renditje. “E pamë të gjithë atë çfarë ndodhi, si në Elbasan, ashtu edhe në Kavajë, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani. – Ne do të veprojmë, duke zbatuar me përpikmëri dhe me ashpërsi rregulloren, pasi është vetëm java e parë dhe nuk mund të tolerohet ajo çfarë ndodhi në Kavajë. Klubet vetë kanë propozuar ndryshime në

Kodin e Drejtësisë Sportive dhe këto tani janë në fuqi, ndërkohë që parashikohen dënime më të ashpra dhe gjoba më të rënda”, shtoi ai. Sekretari i përgjithshëm Prodani ka qenë kritik edhe për forcat e policisë, që sipas tij nuk e kanë kryer si duhet detyrën, duke mos reaguar ndaj tifozëve të revoltuar. “Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë me forcat e policisë, por siç e patë, në Kavajë reagimi i tyre nuk ishte efikas. Ata ishin të shumtë në numër, por nuk arritën ta qetësonin situatën”, tha sekretari i Federatës. Sipas Prodanit, prej gati një viti ky institucion ka iniciuar bashkë me Ministrinë e Sporteve një ashpërsim edhe të legjislacionit për ata që shkaktojnë dhunë në stadium. “Ndërhyrja jonë me masat është e pamjftueshme, kështu që ne kemi bërë gati disa nisma ligjore për forcimin e masave në legjislacion, duke marrë shembullin e vendeve të tjera.

Por, kuptohet që kjo nuk varet nga ne, pasi ligjet duhen miratuar në Parlament”, u shpreh Prodani. Ndeshja mes Besës dhe Skënderbeut u luajt vetëm për 88 minuta, pasi mosdhënia e një penalltie për skuadrën vendase çoi në irritimin e tifozerisë. Pamjet ishin shokuese, ndërkohë që ngjarja bëhet akoma më e rëndë po të kihet parasysh se është vetëm java e parë e kampionatit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›