E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas fitores në Krujë, Tirana gati për revansh

Nga ERJON SALIU

Ishim nën presion pas humbjes me Teutën, por tripikëshi ndaj Kastrioti na dha krahë dhe na motivon për të mos u ndalur më

Fitorja me Kastriotin në fushën e krutanëve ka ardhur në momentin e duhur për skuadrën e Tiranës. Pas humbjes që pësuan në ndeshjen e javës së parë në shtëpi ndaj Teutës, bardheblutë kaluan një javë jo të qetë. Madje u duhej që të fitonin medoemos në Krujë, për të shlyer gabimin që bënë në shtëpi ndaj djemve të detit. Tirana jo vetëm që fitoi ndaj Kastriotit, por ishte në një ditë të mirë. Në fushë u pa një skuadër e freskët gjatë gjithë 90 minutave dhe e etur për fitore.

Dje, ne kontaktuam me një prej autorëve të golave, pikërisht me shkodranin Gilman Lika. Në një prononcim ekskluziv për Sportin shqiptar, mesfushori i 24 herë kampionëve dhe përfaqësues kuqezi, Lika, pohoi: E kishim vlerësuar ndeshjen me Kastriotin sepse vinim nga një humbje me Teutën në shtëpi. Ndodheshim në presion dhe ishim të dënuar për të fituar ndaj Kastriotit.

Shkuam në Krujë të motivuar, madje edhe në përgatitjet që zhvilluam para ndeshjes me krutanët, trajneri Rubio na motivoi që të bënim kujdes dhe ta vlerësonim kundërshtarin, sepse vetëm kështu do tia dilnim mbanë. Ne u futëm në fushë dhe fituam.Tashmë jemi më të qetë për vijimin e garës.

Të gjithë të jenë të sigurt, kjo Tiranë nuk ndalet më. Madje edhe humbja me Teutën ka qenë thjesht një akisdent për ne. Nuk është se luajtëm dobët, krijuam 4-5 raste të pastra për gol, por fati nuk ishte me ne atë ditë. E treguam veten në Krujë ndaj një rivali se kush jemi, – u shpreh fillimisht Gilman Lika.

Goli Në minutën e 66-të të takimit, Kastrioti-Tirana, do të shënohej edhe goli i avantazhit të përkohshëm për bardheblutë. Ka qenë pikërisht shkodrani Gilman Lika, i cili ka shkarkuar të majtën dhe sfera ka pushuar në rrjetën e portës krutane. Lika ndihet entuziast për golin ndaj Kastriotit dhe thotë se është mësuar të shënojë nga distanca. Goli me Krujën më ka entuziazmuar shumë.

Ka qenë një nga golat e mi më të bukur, por edhe për faktin se skuadra kaloi në avantazh. Unë jam mësuar të shënoj nga distanca, kudo ku jam aktivizuar në Shkodër, por edhe në Turqi. Sa herë që jam afër zonës kundërshtare, mendoj që të godas dhe të shënoj.

Kalendari Pas fitores me Kastriotin, bardheblutë tashmë i presin dy ndeshje radhazi në shtëpi. Fundjavën e ardhshme ata presin modestët e Pogradecit, ndërsa një javë më vonë rivalët e Flamurtarit. Sipas Gilman Likës, janë dy javë që duhen fituar medoemos. Tashmë na presin dy ndeshje në shtëpi, këtë javë me Pogradecin e sapongjitur në superligë dhe më pas me një tjetër rival, Flamurtarin në javën e katërt.

Mendoj se duhet që ti fitojmë të dyja përballjet, në mënyrë që kur të luajmë në Shkodër në javën e pestë të shkojmë me moralin lartë. Tashmë grupi po konsolidohet dhe jam i bindur që edhe fitoret do të vijnë javë pas jave, – tha në mbyllje të prononcimit të tij autori i një prej tre golave të Tiranës në ndeshjen me krutanët, mesfushori Gilman Lika.

1 Gol ka shënuar Gilman Lika këtë sezon pikërisht javën që shkoi në Cruje, ku bardheblutë fituan 3-2

1 Vit e gjysmë kontratë i ka mbetur akoma mesfushorit shkodran me kryeqytetasit, ai erdhi janarin e shkuar dhe nënshkroi për dy vjet me presidentin Halili

Shkodranët gjithmonë decizivë te Tirana

Ndër të tjera, Gilman Lika vlerësoi edhe lojën e bashkëqytetarit të tij, që e ka edhe shokë skuadre te Tirana, sulmuesit Bekim Bala. Sipas Likës, Bala është një sulmues me të ardhme dhe një nuhatës i mirë para portës kundërshtare. Më vjen mirë që edhe Bala ka qenë në një dite të mirë dhe ka shënuar gol. Është një lojtar me të ardhme dhe di të shënojë gola decizivë.

Kështu ka bërë vjet me Besën në kupë ku shënoi në Kavajë, por edhe me Skënderbeun në Superkupë dhe të shtunën në Krujë. Shkodranët gjithmonë kanë spikatur te Tirana, aq më tepër që te bardheblutë në të kaluarën në periudha të ndryshme janë aktivizuar futbollistë si Miloti, Lici, Sinani, Salí, – tha ndër të tjera Gilman Lika.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›