E Diel, 1 Nëntor 2026

Lutaj: Flamurtari luajti mirë, durrsakët i ndihmoi shumë fati

Nga ELTON NIKA

Trajneri vlonjat, pavarësisht humbjes ndaj Teutës, thotë se ekipi ka rritje në lojën e tij, duhet rregulluar vetëm finalizimi i rasteve

Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, dukej qartë se nuk e ka përtypur mirë humbjen e minutës së fundit në Durrës ndaj Teutës. Një humbje që edhe për trajnerin vlonjat është ndikuar veç nga fati dhe jo nga ajo çfarë shfaqën të dy ekipet në fushën e lojës. Ky është futbolli dhe unë e thashë edhe pas ndeshjes. Ndëshkohesh atëherë kur nuk e pret dhe kjo ka ndodhur në Durrës.

Mendoj se kemi qenë superiorë në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit, duke dominuar në lojën tonë, pavarësisht se luanim në fushë kundërshtare. Duke parë lojën e zhvilluar, ky Flamurtar më bind, por duhet të tregohemi më të qetë përpara portës së kundërshtarit. Duhet të shënojmë, të jemi më të qetë në administrimin e lojës dhe kjo mangësi u vu re edhe në Durrës.

Flamurtari është treguar ndaj Teutës superior, por kjo nuk mjaftoi dhe ne dolëm pa pikë nga fusha kundërshtare. Por kemi zhvilluar lojë të mirë dhe kjo është diçka pozitive, duke treguar se Flamurtari do të vijojë të pësojë rritje në lojën e tij dhe natyrisht në ndeshjet e radhës duhet të mendojmë për të riparuar ndonjë problem që u vu re gjatë ndeshjes me Teutën.

Por në përgjithësi për lojën e zhvilluar jam optimist dhe të mos harrojmë se luanim ndaj një ekipi shumë të përforcuar si Teuta, që tashmë kryeson. Por kampionati është ende i gjatë dhe natyrisht do të tregojmë pretendimet tona, – ka theksuar trajneri Lutaj.

Progni Nuk mund të besoj që kemi humbur në Durrës. Kemi humbur shumë raste dhe po nuk shënove, do të pësosh, ky është ligji i futbollit dhe tani pas Teutës e kemi mësuar shumë mirë. Kam pasur një moment shumë të mirë edhe unë për të shënuar, por topi është përplasur në trupin e mbrojtësit, nuk e besoj që nuk hyri në rrjetë.

Meritonim jo vetëm një pikë, por plot tri të tilla ndaj Teutës dhe askush nuk mund të thotë të kundërtën. Por futboli ky është, duhet ti pranojmë verdiktet e fushës së lojës. Mendoj se Flamurtari është sërish aty ku dëshirojmë, por ajo humbje sot më djeg, – është shprehur mesfushori Gerhard Progni, duke qenë në të njëjtën linjë me trajnerin.

Vlonjatët shohin edhe nga kupa

Flamurtari ka dalë dje në stërvitje. Pavarësisht ndeshjes, që është zhvilluar në mbrëmje, futbollistët kanë dalë sërish në stërvitje. Ndërkohë, duket se edhe dita e pushimit mund të reduktohet këtë javë, pasi në mesjavë Flamurtari luan për Kupën e Shqipërisë ndaj Bilisht-Sportit, edhe pse është deklaruar disa herë se në ndeshjen e kupës do të luajnë kryesisht ata lojtarë që janë aktivizuar më pak gjatë dy javëve të para të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›