Kupa, largësia Shkodër-Sarandë i prish punë Vllaznisë
Kuqeblutë do të ndeshen në mesjavë me Butrintin dhe Josës i prishen planet për ndeshjen e fundjavës me Teutën
Nëse ndeshja me Kamzën do të analizohet me qetësi dhe maturi nga drejtuesit e klubit dhe ato të skuadrës, problemi më i madh që ka lindur këto dy ditë, kanë qenë përgatitjet që skuadra duhet të bëjë për ndeshjen e radhës. Atë që do të luajnë ditën e mërkurë për Kupën e Shqipërisë pikërisht në Sarandë ndaj Butrintit vendës. Problemi më i madh nuk është kundërshtari dhe distanca e madhe e rrugës.
Fakti që luhet në mesjavë ka prishur jo pak plane, sepse kjo ndeshje prish edhe strukturën e përgatitjeve për takimin e fundjavës, që është shumë i rëndësishëm, atë me kryesuesit e Teutës. Duke qenë kështu, trajneri Josa ende nuk e ka të qartë se nuk e ka vendosur se me cilët futbollistë do të udhëtojë drejt Sarandës.
Ka shumë dilema, nëse shkohet me ekipin e parë, do të thotë tri ditë seanca stërvitore të çuara dëm, nga e marta, kur mund të niset ekipi për në qytetin e largët jugor dhe deri të enjten, kur do kthehet. Nëse shkohet me ekipin e dytë, nuk ka shumë garanci për një rezultat pozitiv, sepse sarandiotët e kanë marrë me shumë dëshirë këtë sezon dhe do kërkojnë të bëjnë surprizën. Duke qenë kështu, mbase zgjidhja më e mirë për shkodranët mund të jetë vajtja atje me një formacion miks, duke alternuar disa prej titullarëve me disa nga lojtarët e stolit.
Kupa Trajneri Josa mund të shkojë me këtë ekip në Sarandë, ndërkohë që ndihmësi i tij Plori mund të mbetet në Shkodër për të stërvitur pjesën tjetër të ekipit. Kjo duket zgjidhja më e mirë në këtë rast, por ajo që duhet pranuar është se krerët e klubit shkodran e quajnë krejt të pakuptimtë një skemë të tillë kupe, ku qyteti më verior i vendit të luajë me qytetin më jugor dhe në një ndeshje që normalisht ka diferencë të madhe mes dy ekipeve.
Megjithatë, kalendari ndoshta ky është dhe ata janë të detyruar ta zbatojnë, por ajo që mbetet është distanca e largët mes dy qyteteve. Nuk përjashtohet mundësia që kuqeblutë të nisen edhe mëngjesin e së mërkurës herët për në Sarandë, për të shkuar e kthyer brenda ditës prej atje. Kjo gjithsesi do të vendoset sot. E rëndësishme është që ky takim jo shumë i rëndësishëm ka hyrë si pykë në përgatitjet e skuadrës për ndeshjen e fundjavës së ardhshme me Teutën në Shkodër.
Ajo konsiderohet shumë e rëndësishme, sepse Vllaznia vjen pas një humbje të pajustifikueshme në Kamëz dhe një tjetër rezultat jo i mirë ndaj durrsakëve, do të prishte jo pak atmosferën në skuadër dhe në radhët e drejtuesve, që në fakt e kanë marrë me shumë dëshirë drejtimin e klubit.
