Elbasani jep sinjalin e parë të një pretendenti
Verdheblutë kanë treguar me fitoren e thellë në derbi se janë në gjendje të rivalizojnë për një biletë superioreje
Ekipi i Elbasanit më në fund është kthyer bindshëm te fitorja, duke mposhtur para tifozëve verdheblu Gramshin në derbin e prefekturës. Pesë gola kanë shënuar elbasanasit pas atij të përkohshëm të gramshiotëve. Të besuarit e dyshes File-Dosti ditën ta zgjidhnin mjaft mirë ndeshjen, duke regjistruar kështu goleadën e parë, që i shkon për shtat një ekipi pretendent. Kanë shënuar Galica dy herë, Olatunji, Toçi dhe Merxha, gjë që tregon se Elbasani po funksionon mjaft mirë, edhe pse nuk ka marrë maksimumin e pikëve.
Elbasani e ka nisur ndeshjen ndaj Gramshit me të njëjtin formacion me atë të javës së parë dhe lojtarët nuk zhgënjyen, duke dhënë sinjale të qarta se në stadiumin Ruzhdi Bizhuta askush nuk do të marrë pikë. Pas një nisjeje të dobët të ndeshjes, lojtarët kanë reaguar mjaft mirë, duke kënaqur trajnerin File, i cili është shprehur mjaft entuziast pas fitores.
Pas futjes në fushë të Mateos Toçit, i cili shënoi edhe golin e avantazhit për verdheblutë vetëm 1 minutë pasi kishte zëvendësuar Olatunjin e dëmtuar, u pa qartë një lojë në ngritje e Elbasanit.
Një sinjal për skeptikët Në këtë mënyrë elbasanasit u kanë mbyllur gojën skeptikëve. Ata kanë treguan se kanë një ekip me petk pretendenti serioz për kthimin në superligë. Sinjale të mira vijnë edhe nga sulmi, që në këtë ndeshje ka shpërthyer me dyshen Olatunji-Galica, aturorë të 3 golave.
Dhe këta gola kanë ardhur si rrjedhojë e lojës së bukur dhe me koncept të elbasanasve. Tani mund të thuhet me plot gojë se Elbasani është një pretendent i denjë për kthimin në elitë. Ekipi është rehabilituar dhe lojtarët janë ambientuar me lojën e grupit, ndaj dhe në Elbasan besohet se superliga mund të arrihet.
